Shkrihen ujësjellësit, ishin në borxhe, Rama: Shërbenin si streha militantësh dhe magazina për flamuj

Në Kamëz ku u inaugurua godina e re e ujësjellësit kryeministri Edi Rama konfirmoi strategjinë për shkrirjen e 57 ndërmarrjeve në vetëm 5 të tilla.

Edhe pse nuk foli për propozimin e erru për katërfishimin e çmimit të ujit, kreu i qeverisë argumentoi strategjinë me borxhet e mbledhura në vite. Por saktësoi se veprimi nuk ka të bëjë me shkarkimin e punonjësve.

"Shumë kush të thotë akoma me ujin merremi ne në shekullin XXI, se marrim tërësinë e borxheve të akumuluara në vite, që një pjesë e madhe e tyre vazhdojnë t'i akumulojnë a thua se janë në mallin e babës. Sasia e borxheve është më e madhe sesa sasia e borxheve të OSHEE. Kjo nuk do të thotë që të mbyllen këto zyra apo ët hidhen në rrugë njerëzit që punojnë, kjo do të thotë që ndërmarrja të bëhet ndërmarrje," tha Rama.

Rama akuzoi se ujësjellësit janë kthyer në institucione që ushqehen me fondet e konsumatorëve pa dhënë shërbime.

"Nuk mund të jenë ndërmarrje që mbahen me miell hua," tha Rama.

Para ambasadorëve Rama nuk harroi të shigjetonte dhe opozitën.

"Nuk ka rëndësi fare se sa vota marrim ne, por ka rëndësi që epoka e ndërmarrjes së ujësjellësit që ishte magazinë për flamujt e partisë dhe repart për mitingje është një epokë që i përket së shkuarës," tha Rama.

Ndërtesa e re është realizuar me fondet e bashkimit evropian, ndërsa ambasadoret  e Gjermanisë dhe Zvicrës nënvizuan mbështetjen për Shqipërinë.

"Mbështetet nga BE me anën e një grante prej 25.5 milionë euro dhe është e bashkë-financuar nga Gjermani dhe Zvicra," tha Soreca.