Zjarrfikësi i bashkisë së Tiranës drejtonte linjën e trafikut të kokainës Gjermani-Zvicër
Një punonjës i bashkisë së Tiranës është arrestuar si pjesë e një grupi trafikantësh të kokainës nga Shqipëria në Zvicër e Gjermani. Rrjeti është goditur së fundi me arrrestimin e tetë personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve. Krerët e e grupit janë 2 shqiptarë, njëri prej tyre punonjësi i Bashkisë së Tiranës, zjarrëfikësi Ndriçim Harka. Deri më tani jane kapur 3 kg kokainë, ndërsa për një transport organizatorët e aktivitetit kriminal ofronin pagesa deri në 3500 euro.
Një zjarrfikës, punonjës i bashkisë së Tiranës akuzohet se ka drejtuar trafikun e kokainës nga Shqipëria me destinacion Zvicrën dhe Gjermaninë.
Ndriçim Harka është vënë në pranga me urdhër të prokurorit Bledar Valikaj pas një hetimi disa vjeçar.
Sipas akuzës, zjarrfikësi në bashkëpunim me persona të tjerë, ka ngritur një skemë të mirëfilltë të kokainës duke përdorur dhe paguar persona të tjerë, si shtetas shqiptarë ashtu edhe të huaj për transportimin e lëndës narkotike.
Sipas prokurorisë, organizatorët e këtij trafiku qëndronin në hije duke i shpëtuar kështu goditjeve nga organet ligjzbatuese".
Mësohet se fillesat e hetimit nisin në 2015 ku më 7 janar kishte nisur hetimi në Zvicër, ndaj shqiptarit Florian Moko për trafik kokaine.
Përgjimet zbuluan se Moko po siguronte një ngarkesë të madhe kokaine në mbështetje të një shtetasi shqiptar të quajtur “Tony” i cili sapo kishte mbërritur në Zvicër.
Më 5 maj 2015 në makinën që drejtohej nga një shtetas gjerman u sekuestruan 3 kg kokainë, e paketuar në tre pako 1 kg, me pastërti 20% .
Së bashku me shtetasin gjerman Michael Schmiedel, u arretua dhe Elton Meta, i njohur me nofkën “Tony” të cilët po dilnin së bashku nga një kafe e po shkonin të merrnin kokainën në makinë.
Para hetuesve zviceranë Tony ka pranuar se ka marrë pjesë në trafikun e kokainës dhe se sipas tij një shqiptar i quajtur “Qimi” ose “Gimi” organizonte trafikun e kokainës nga Shqipëria.
Gjatë dëshmisë Elton Meta ka treguar se personi që e identifikonte si Shkëlqim Haka, (Gimi) 40 vjeç i kishte premtuar 3500 euro për të marrë kokainën për t'ia dorëzuar Ilir Shella.
Autoritetet zvicerane kërkuan identifikimin e numrave telefonikë shqiptarë dhe rezultoi se ato i përkisnin njëri Ndriçim Harkës e tjetri Etmond Merjes, kunati i tij.
