Sekuestrimi i kamionit me 324 kg kokainë në portin e Durrësit, arrest me burg për shoferin maqedonas

Gjykata e Durrësit mbajti në qeli shoferin nga Maqedonia e Veriut që drejtonte kamionin ku u kapën 324 kilogram kokainë në tentativë për tu trafikuar drejt Italisë. 40-vjeçari para togave të zeza mohoi përfshirjen në tentativën e trafikut, duke thënë se ai nuk mban përgjegjësi për ngarkesën. Ndërkohë autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion nga Maqedonia e Veriut dhe Italia rreth tentativës ndërkombëtar të trafikut.

Shoferi nga Maqedonia e Veriut që drejtonte kamionin ku u kapën rreth 324 kilogram kokainë në tentativë për tu trafikuar me traget përmes Durrësit drejt Ankonës në Itali mbetet në qeli.

Gjykata e caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 40 vjeçarin nga Struga, Nazif Ajroski.

Para togave te zeza, ai mësohet se ka mohuar përfshirjen në tentativën e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Shoferi ka deklaruar se detyra e tij është të çojë mjetin në destinacionin që i përcaktohet nga kompania dhe nuk mban përgjegjësi për ngarkesën brenda tij.

Seanca ishte parashikuar të zhvillohej në orën 09:00 të paradites, por u shty disa orë për shkak të mungesës së një përkthyesi të licensuar të gjuhës maqedonase.

Kokaina ishte e ndarë në pako dhe e markuar me logo të firmave të ndryshme, çka ka forcuar dyshimet tek prokuroria se është skemë që përdoret për të treguar se i përket grupeve të ndryshme kriminale.

Dyshimet janë se ngarkesa e lëndës së fortë narkotike pritej në Ankona nga ku më pas do të tentohej dërgimi drejt Italisë Veriore.

Hetimet për rastin janë në vijim dhe prokuroria tregohet e rezervuar.

Megjithatë, mësohet se autoritetet shqiptare u kanë informacion homologëve në Maqedoninë e Veriut dhe Itali, për këtë tentativë të trafikut ndërkombëtar

Sasia prej mbi 324 kilogramësh kokainë u sekuestrua ditën e premte e fshehur në një pjesë të ndryshme dhe serbatorin e kamionin e ngarkuar me material e ndërtimi që drejtohej nga Nazif Ajroski.

Kamioni rezultoi se ka hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Qafë Thanës, ndërsa lënda narkotik u zbulua nga Skaneri i Portit të Durrësit.