Jepet “OK” nga Tokyo, deri në 10 mijë tifozë do të lejohen në Olimpiadë
Euro 2020 dhe Copa America nuk janë të vetmet evente të mëdha këtë verë pasi me përfundimin e tyre do të kemi edhe Lojërat Olimpike të Tokyos. Edhe këto të shtyra me një vit nga pandemia, do të startojnë siç është programuar më 23 Korrik dhe do të përfundojnë më 8 Gusht.
Tashmë lajmi i mirë është se eventi do të zhvillohet me publik dhe Komiteti Organizativ i Tokyo 2020 ka dhënë “ok” për praninë e tyre.
Në një mbledhje me kryebashkiaken e Tokyos, Yuriko Koike, ministren japoneze të sportit, Tamayo Marukawa dhe presidentin e CIO, Thomas Bach, u vendos që në impiantet ku do të zhvillohet Olimpiada të lejohen deri në 10 mijë tifozë.
Dihet zyrtarisht se tifozët do të jenë vendas, pra lokalë pasi Japonia nuk ka pranuar tifozë nga jashtë vendi dhe deri tani janë shitur 3.7 milionë bileta.
Ka edhe disa kushte për tifozët që do të shkojnë në stadiume siç janë mbajtja e maskës, nuk mund të ulërasin apo festojnë në stola e gjithashtu duhet të kthehen menjëherë në shtëpi pas aktivitetit.
