Shpërthim me tritol në një mobileri në Milot, në pronësi të ndërtuesit nga Dibra

Një biznes i tregtimit të mobiljeve u sulmua me lëndë plasëse në Lezhë.

Ngjarja ndodhi rreth mesnatës të së dielës, 20 qershor në superstradën Lezhë-Milot, në afërsi të kryqëzimit të Rrilës.

Objekt i sulmit ishte biznesi në pronësi të Dëfrim Ajazit, me origjinë nga Dibra dhe banim në Tiranë.

Sipas të dhënave, eksplozivi ishte vendosur në pjesën e pasme të objektit dhe nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale.

Ende nuk dihet sasia dhe lloji i lëndës shpërthyese, ndërsa policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet.

Sipas burimeve në dëshminë e tij në polici biznesmeni Dëfrim Ajazi ka deklaruar se nuk ka konflikte.

Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat disa persona të cilët po merren në pyetje

Grupi hetimor ka  sekuestruar kamerat e sigurisë të biznesit ku u vendos lënda shpërthyese, por ende nuk është arritur që të bjerë në gjurmët e autoreve të cilët mendohet se kanë qenë dy persona.

Referuar dinamikes së ngjarjes mendohet se autoret e kanë njohur mire terrenin, pasi kanë vepruar në pjesën e pasme e cila është totalisht në errësirë dhe larg syrit të kamerave.

Dëfrim Ajazi më parë ka qenë dhe ndërtues në Lezhë dhe Tiranë dhe hetimet janë përqendruar tek veprimtaria e tij në fushën e biznesit.