Banorët e rrugës "Kol Kamsi" në Sauk të bllokuar që prej shkurtit
Reshjet e shiut të rëna gjatë stinës së dimrit sollën rrëshqitje të tokës në zonën e Saukut.
Por që prej shkurtit e deri më tani banorët në rrugën "Kol Kamsi" vijojnë të mbeten të izoluar.
Në mungesë të rrugës, ata kanë vendosur gurë në këtë shteg, të paktën për këmbësorët.
"S'e dimë, as vjen ambulancë, as vjen furgon të marrë fëmijët, as vjen zjarrfikëse. Rruga nuk është as 2 metra, kalon vetëm një veturë aty," thotë banori.
Thonë se janë ankuar për marrjen e masave por ende asnjë përgjigje.
"Jemi ankuar disa herë, që në 10 shkurt është e mbyllur rruga. I kemi bërë mesazh Erion Braçes, Erion Veliajt, kemi shkuar atje, nuk dimë çfarë të bëjmë. Jemi lagjja më e diskriminuar në Tiranë, nuk çajnë kokë farë, si fole si nuk fole," thotë banori.
Të gjitha automjetet që kalojnë në këtë aks devijojnë drejtimin.
"Kalonin makinat dhe këtë rrugë kanë pasur," thotë ai.
Rrëshqitja e tokës, ka lënë 40 familje pa zgjidhje.

