Abuzuan me pronat, gjykata dënon dy ish-kryebashkiakët Zamira Rami dhe Adem Lala
Abuzimi me pronat dënon me burg dy drejtues të tjerë vendorë, por që në fakt dënimi në qeli u është konvertuar. Gjykata e Posaçme, shpalli fajtore ish-kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, duke e dënuar me 1 vit burg. Po për shpërdorim detyre u dënua nga Apeli me 1vit e 4 muaj heqje lirie, ish-kreu i Bashkisë së Hasit, Adem Lala.
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit burg ish-kryebashkiaken e Gjirokastrës, Zamira Rami, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Por ajo nuk do të kryeje asnjë ditë burg pasi ky vendim iu konvertua në punë në interes publik.
Ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës u akuza për shpërdorim detyre pasi akuzohet për prishjen e dy objekteve private.
Denocimi është bërë nga dy qytetarë, Dritan Sako dhe Teodorti Xhai, pasi iu kishte prishur pronat me qëllim zgjerimin e rrugës.
Sipas SPAK, Rami ka kryer veprime në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, duke i shkaktuar dy shtetasve një dëm pasuror në vlerë 5 600 520 lekë.
Po këtë të enjte Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë të pandryshuar vendimin e shkallës së parë për ish-kreun e Bashkisë së Hasit, Adem Lala, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Lala u shpall fajtor dhe u dënua me 1vit e 4 muaj burg, dënim i cili iu konvertua në liri me kusht.
Ish-kryebashkiaku urdhërohet të mbajë kontakte me shërbimin e provës, Zyra Vendore Kukës, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Po kështu si dënim plotësues, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Lala akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me privatizimin e një ndërtese në Has, por që më pas u anulua.
Çështja fillimisht u hetua nga prokuroria e Kukësit, e cila ia kaloi për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, e cila heton dhe gjykon zyrtarët e lartë ku përfshihet edhe ish-kryebashkiaku.
