Publikoi pamjet e aksidentit të teleferikut, “lumë” kritikash ndaj Rai-it në Itali

Televizioni publik italian po kritikohet për transmetimin e pamjeve të aksidentit fatal me teleferik, që la muajin e kaluar 14 viktima.

Prokurori i cili po heton ngjarjen tha se transmetimi i momenteve të kapura nga kamerat e sigurisë ishte absolutisht i papërshtatshëm.

Edhe ministrja e Arsimit bashkë me politikanë të tjerë theksuan se shfaqja e tyre u shton dhimbjen familjeve të viktimave.

Pamjet u publikuan gjatë edicionit të lajmeve të televizionit "Rai 3" dhe tregojnë çastet kur kabina me 15 pasagjerë sapo kishte prekur majën dhe pritej të parkonte, kur një avari me kavon e sigurisë e lëshoi poshtë me shpejtësi.

Prokurorët thonë se frena e emergjencës që mund ta kishte evituar aksidentin ishte çaktivizuar qëllimisht, dhe për pasojë kabina zbriti nga po vinte me shpejtësi mbi 100 kilometra në orë, duke dalë më tutje nga mekanizmi e duke u përplasur në tokë në një terren malor.

Vetëm një person, një djalë izraelit 5-vjeçar, mundi t'i mbijetojë aksidentit.

Frena e emergjencës e kabinës mësohet se ishte çaktivizuar në vitin 2014 dhe këtë vit i ishte nënshtruar të tjera ndërhyrjeve pasi nuk funksiononte si duhet.

Tre punonjës të kompanisë që menaxhon teleferikun në malin Motarone të rajonit Piemont po hetohen në liri pas shoqërimit nga policia.

Kabina e teleferikut po transportonte të dielën e 23 majit, pesë familje të ndryshme: 8 italianë, 5 izraelitë dhe 1 iranian.