Bledi Shkëmbi trajneri i ri i Dinamos, tani është zyrtare

Pas shumë dyshimesh, zërash e thashethemesh, merr fund dilema për trajnerin e Dinamos. Skuadra kryeqytetase që sezonin e ri do të jetë në Superligë pas shumë vitesh “errësirë”, njoftoi se Bledi Shkëmbi do të marrë drejtimin e ekipit.

“Bledi Shkëmbi është trajneri i ri i Dinamos. 41-vjeçari ka marrë besimin e presidentit Adrian Bardhi për zbatimin e projektit madhor për rikthimin e Dinamos në nivelet e duhura. Ish-trajneri Ilirisë së Prizrenit dhe Ballkanit në Kosovë dhe Teutës në Shqipëri, do të prezantohet ditën e Enjte në orën 11:00 në ambjentet e Vila Pascucci!”, ishte njoftimi zyrtar i klubit.

Shkëmbi rikthehet kështu në Kategorinë Superiore pas disa vitesh ku më parë ka drejtuar Teutën dhe më pas vijoi në kampionatin e Kosovës me Lirinë dhe muajt e kaluar me Ballkanin.

Për Shkëmbin u përfol edhe më parë se do të jetë trajneri i ri por te Dinamo vonuan ta konfirmonin teksa tani është gjithçka zyrtare pasi palët arritën marrëveshjen mes tyre.