EURO 2020, Portugalia vuan por merr 3 pikë, Ronaldo sërish në histori

Kampionët e Europës në fuqi fitojnë me shumë vuajtje në ndeshjen debutuese të EURO 2020. Portugalia e nis me suksesin e pastër 3-0 ndaj Hungarisë në Grupin F por duhet thënë që ishte një vuajtje e vërtetë.

Në “Puskas Arena” të mbushur si asnjëherë me 67 mijë tifozë, shumica të Hungarisë, Portugalia nis të sulmojë dhe tregon autoritet në fushë ku here me Diogo Jotan e herë me Ronaldon rrezikojnë kundërshtarin por pa arritur te porta.

Hungaria mbrohet mirë dhe mbyll çdo hapësirë ndërsa Kampionët e Europës në fuqi nuk janë shumë të qartë në aksionet e tyre sulmuese por që pjesa e parë mbyllet pa gola.

Fraksioni i dytë i lojës ka më shumë ritëm dhe portugezët shtojnë presionin dhe në 68’ kanë rastin më të mirë me Bruno Fernandes ku me një gjuajtje rrufe është një hap larg golit por portiere Gulasci bën mrekullinë.

Minutat kalojnë dhe nervozizmi te Portugalia duket dhe në 76’, Ronaldo kërkon një penallti për prekje të topit me dorë që në fakt nuk ishte.

Në 80’, “Puskas Arena” shpërthen për nje gol të Hungarisë të shënuar nga Schon por arbitri anësor kishte ngritur flamurin për një pozicion të parregullt.

Kur dukej se ishin shuar shpresat, në minutën e 84’, Portugalia gjen golin e avantazhit me mbrojtësin Guerreiro i cili me një gjuajtjue në zonë të devijuar topi kalon rrjetën.

Çlirohet Portugalia dhe trajneri Santos dhe 2 minuta vonë, ata fitojnë dhe një penallti me Rafa Silva dhe Ronaldo nuk gabon.

Tashmë Cristiano Ronaldo hyn në histori me 11 gola si golashënuesi më i mire në historinë e Kampionateve Europiane ndërsa Portigalia e nis më së miri me 3 pikë.

Njëkohësisht Ronaldo për të mos u nënvlerësuar rekordi tjetër si lojtari i vetëm që merr pjesë në 5 Kampionate Europiane, nuk di të ndalet ndërsa në minutat shtesë erdhi edhe goli i dytë personal për bomberin portugez.