Arnautoviç rrezikon pezullimin, UEFA hap proçedim disiplinor
Mark Arnautoviç rrezikon një pezullim nga UEFA për fjalët fyese ndaj lojtarit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski pasi qeveria e futbollit europian ka hapur një proçedim disiplinor ndaj sulmuesit austriak.
“Një inspektor etik dhe i disiplinës është emëruar për të zhvilluar një hetim në lidhje me çështjen në të cilën është përfshirë lojtari”, ishte njoftimi që UEFA dha por pa cilësuar se për çfarë neni apo rregullore ka shkelur lojtari që gjithsesi rrezikon shumë.
Po të mendosh që prillin e kaluar, UEFA në një rast të ngjashëm, dënoi me 10 ndeshje pezullim mbrojtësin çek, Ondrej Kudela për sjellje raciste ndaj lojtarit të Rangers, Kamara në një ndeshje të Europa League, natyrisht që edhe Arnautoviç nuk mund t’ia dalë pa lagur në këtë histori.
Nga ana tjetër, Federata e Maqedonisë së Veriut në profilin e saj të Facebook njoftoi se i ka dërguar një letër zyrtare UEFA-s, në të cilën kërkon një dënim shembullor për sulmuesin 32-vjeçar. “Jemi kundër nacionalizmit, diskriminimit dhe të gjitha formave të tjera të ofendimeve që nuk kanë të bëjnë me futbollin. Dënojmë shfryrjen nacionaliste që bëri Arnautovic ndaj Alioskit”, thuhet në njoftimin e Federatës.
