Lukaku rrëfen planin për Eriksen: Ndëpresim ndeshjen me Danimarkën
Romelu Lukaku, gjigandi i Belgjikës dhe Interit foli në vigjilje të sfidës ndaj Danimarkës në Grupin B ku skuadra e tij do të kërkojë 3 pikët e radhës e nga ana tjetër do të jetë edhe një ndeshje delikate, e para pa Eriksen për skandinavët. Sipas sulmuesit, do të ketë një nderim të veçantë për Eriksen në këtë ndeshje ndërsa tregoi edhe planin për ta vizituar.
“Do të doja të vizitoja Eriksen në spital dhe tashmë kam biseduar për këtë me trajnerin e Belgjikës. Nesër pas ndeshjes, unë do t'i dërgoj një mesazh Christianit. Tani po e lë të kalojë edhe ca kohë në qetësi me familjen e tij. Gjatë ndeshjes në minutën e 10' do ta nxjerrim topin dhe do ta duartrokasim së bashku me Danimarkën”.
Lidhur me minutat e tmerrit që përjetoi Eriksen, Lukaku nuk kursen elozhet për Kjaer ndërsa thekson edhe rëndësinë e ndeshjes për Belgjikën.
"Nëse shikoni atë që bëri Kjaer për Eriksen, është shumë, shumë e rëndësishme. Me një kurs të ndihmës së shpejtë për lojtarët, të gjithë do të dinim se çfarë të bënim në situata të tilla ndaj duhet të jemi të përgatitur. Tani ne duhet të vazhdojmë në këtë ritëm në fushë, duke përdorur vrullin dhe dëshirën. Duhet të tregojmë se po luajmë në maksimumin tonë, duhet të jemi të pamëshirshëm” u shpreh bomber belg në vigjilje të ndeshjes me Danimarkën ditën e nesërme.
