Mandati i tretë, Rama: Këshillim Kombëtar me qytetarët, metamorfozë në administratë
Edi Rama erdhi në këtë 30-vjetor të PS, si kryeministri i parë në histori që ka arritur që të marrë 3 mandate radhazi.
Gjatë fjalës së tij në Kongres ai prezantoi pikat kryesore se si do të jetë qeverisja 2021-2025.
Rama njoftoi krijimin e një institucioni të ri të quajtur Këshillimi Kombëtar për t’u dhënë zë qytetarëve që të shprehen për çështje madhore një herë në vit dhe takimi i parë do të zhvillohet në vjeshtë.
Ai ka paralajmëruar një metamorfozë në administratë, pa ngjyrime politike me studentët më të mirë brenda dhe jashtë vendit, e ndërsa theksoi se do të bëhet një fushatë 1 vjeçare për anëtarësimin e emrave të rinj një PS.
Rama premtoi se PS nuk do të bëhet mbulesë as “për ministra e deputetë apo drejtora e shefa” nëse drejtësia e re do të kërkojë llogari prej tyre.
Edi Rama: Dua që mandati i tretë të shënojë nje hapje të re, ndaj njerëzve të këtij vendi duke i përfshirë ata në vendimmarrjet tona më të rëndësishme përmes një institucioni të ri kombëtar, Këshillit Kombëtar, Këshillimit Kombëtar. Unë dua që populli të mos dëgjohet një herë në 4 vjet kur zgjedh përmes votës se kush do të qeverisë, por të dëgjohet të paktën 1 herë në vit nga shumica qeverisëse. Çështjet me interes të veçantë kombëtar, publik apo ekonomik, ne do ti ndajmë me popullin dhe do të këshillohemi me të gjithë qytetarët pa dallim bindjesh politike, përkatësish fetare, krahinore, moshe a gjinie, që do duan të shprehen përmes Këshillimit Kombëtar.
Këshillimi Kombëtar nuk është një ushtrim komunikimi ku ne shkojmë nëpër Shqipëri e flasim dhe njerëzit dëgjojnë por është institucion ndërveprimi me shkrim me të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe të gjithë ata që duan të përfshihen, të japin opinionet e tyre me shkrim, të na thonë po apo jo për çka ne shtrojmë si alternativa të mundshme në adresimin e një çështje me rëndësi të veçantë. Ne do të përgatitemi që këtë vjeshtë të zhvillojmë Këshillimin e parë Kombëtar për ta përmirësuar në vijim, dua që platforma e bashkeqeverisjes të ngrihet në një nivel të ri. Ndërveprimi dixhital i qytetarit me qeverinë dhe institucionet të marrë një vule ligjore, detyruese për qeverinë dhe institucionet të cilave çdo qytetar që nuk merr përgjigje në kohë dhe cilësi mund të ketë forcën ligjore tu kërkojë të mbajnë përgjergjësi të drejtëpëdrejtë.
Një qeveri dhe një shumicë qeverisëse që nuk i përgjigjet me kohë dhe me cilësi çdo qytetari nuk e çon dot këtë vend në atë nivel ku Shqipëria e 2030 meriton të jetë, mund të jetë dhe do të jetë. Ne duhet ta ndajmë mendjen njëherë e mirë që po e deshëm vërtet Shqipërinë, majën ku shqiptarët na rizgjodhën për të tretën herë ta ngjisim, duhet ta shpëtojmë këtë vend nga punësimet në shtet jashtë kritereve të konkurrencës dhe meritës.
Kjo në radhë të parë ju takon të gjithëve ju që jeni të pranishëm këtu. Unë nuk kam asnjë motiv më të madh se për të dhënë edhe më shumë se deri më sot nga vetja sesa ky, i çlirimit të Ministrive, institucioneve, agjencive, të departamenteve, të bordeve nga tentakulat e interesave që mbrojnë medemek në emër të partisë apo të elektoratit, por në fakt godasin, cënojnë, gërryejnë shtetin dhe pengojnë vetë misionin e PS në shërbim të popullit.
Dua që të bindem gjatë rrugës se kjo për ju nuk është diçka e bukur për tu thënë që ta dëgjojë populli, por kjo për ju është vijë ndarëse mes të qenit socialist dhe tradhtar i PS. Hapat që kemi hedhur në këtë drejtim me rekrutimin e mësuesve, bluzave të bardha, policëve si dhe me rekrutimin e shërbimit civil janë domethënës krahasuar me nga e kemi nisur, por janë krejt të pamjaftueshëm për tu ngjitur te ajo majë.
Duhet të shtyjmë shumë më fort përpara duke mbështetur pa rezervë dhe pa kundërshti çlirimin e mëtejshëm të sektorit publik nga parazitë, arrogantë, injorantë me mbulesa politike të falura nga njëri apo tjetri në emër të PS gjithmonë të cilat mbulesa e bëjnë flamurin e PS tu duket si lecka e gabit qytetarëve që përballen me këto lloj specie. Fatkeqësisht larg së qeni një specie në zhdukje zyrtarësh dhe nëpunësish.
Dua që mandati i tretë të jetë periudha e një pastrimi të ri të gjakut të PS, qeverisjes sonë, administartës në terësi, për këtë pastrim duhet të hapemi më fort dhe më gjerë se asnjëherë qoftë si parti, qoftë si forcë qeverisëse. Nga një anë duhet të angazhohemi të gjithë për një fushatë një vjeçare anëtarësimesh të reja duke i kërkuar ku janë dhe ku nuk janë më të mirët, më të devotshmit, më të gatshmit për Shqipërinë, të çdo moshe, krahine, profesioni, statusi social.
Duhet të hapim dyert e qeverisë, që nga dyert e kabineteve të ministrave, të ministrive, agjencive, të departameteve, të bordeve, për vajza dhe jem të shkolluar jashtë shtetiut të cilët kanë arritur rezultate të larta dhe punojnë jashtë në çdo sektor dhe për vajza dhe djem të shkolluar me rezultate të shkëlqyera brenda shtetit që përballë dyerve të mbyllura dhe arrogantëve, injorantëve, parazitëve që u përplasin derën në fytyrë kërkojnë vetëm një shteg për të ikur nga Shqipëria.
Nuk është nevoja që medeomos të kthehen në Shqipëri ata që janë jashtë për të punuar dhe për Shqipërinë, kush dëshiron të kthehet duhet të jetë jo i mirëpritur, por i mikpritur me krahët hapur, por pandemia na ka provuar se nuk ka asnjë rëndësi ku ndodhesh fizikisht për të punuar kudoqoftë dhe kurdoqoftë që ti mund të punosh. Gjatë mandatit të tretë ne duhet të kryejmë një metamorfozë revolucionalizuese të administratës duke kaluar nga një administratë fizikisht e pranishme në punë në një administratë hibride ku prania fizike të mos jetë ekskluzive por e kombinuar me punën në distancë përmes teknologjisë me pjesën tjetër.
Nisma "Gati për Shqipërinë" që e nisëm si test për të matur pulsin e bashkëqytetarëve të shkolluar jashtë vendit në radhë të parë, vajza dhe djem të ri më së shumti, po na provon çdo ditë se falë edhe mandatit të tretë që ka krijuar frymëmarrje të re si çdo fillim i ri por edhe falë dëshirës së madhe të tyre për të dhënë një kontribut për Shqipërinë, potenciali i suksesit në integrimin e të shkolluarve dhe të punësuarve jashtë në të gjithë piramidën e shtetit tonë është jo i vogël. Mund të bëhet një potencial i jashtëzakonshëm nëse ne e bëjmë seriozisht këtë që themi, nëse ne me forcën e shembullit tonë u provojmë atyre dhe gjithë shqiptarëve se e kemi shumë seriozisht.Kështu mund të adresojmë një pjesë të problemit dramatik të rrjedhjes jashtë vendit të burimeve cilësore njerëzore të vendit.
Është një sfidë shumë e madhe por që ja vlen më shumë sesa të gjitha pretendimet e kushërinjve dhe të krushqve të familjes tonë politike të mbledhur sëbashku, të gjithë kushërinjtë dhe krushq në gjithë Shqipërinë. Kjo është një sfidë aq e madhe dhe aq e rëndësishme për Shqipërinë që duhet me patjetër t'ua lëmë fëmijëve tanë pa u ndjerë kokëulur për atë që u kemi lënë saqë mandati i tretë le të jetë edhe i fundit po të dojë, nëse mandati i katërt do të varet nga këta arrogantët, parazitët dhe injorantët që futen në zyrat e shtetit me shtytje, me nxitje, mbrojtje, garanci interesash që nga deputetët tek ministrat dhe deri në nivelet e drejtorëve nëpër territor. Kur të mi gjeni kushërinjtë e mi dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore hajdeni dhe më kërkoni vend për kushërinjtë dhe krushqit tuaj. Flamuri i PS nuk është mbulesa e askujt dhe askush nuk ka të drejtë ta falë lart e poshtë si mbulesë për qoka dhe për punët e shtëpisë së vet.
Duhet të jemi shumë të qartë me njëri-tjetrin, me çdo anëtar të kësaj partie që vjen dhe thotë dua punë në shtet se kam bërë këtë e kam bërë atë, se kam dhënë këtë e kam dhënë atë. PS nuk është qëllim, është mjet për të arritur qëllimet e kësaj familje të madhe dhe kjo familje e madhe nuk është krijuar dhe as zhvilluar për tu rrethuar nga vetëvetja duke u kthyer në një kështjellë të papentrueshme, porta që hapen dhe mbyllen normalisht për shumëkënd që do të donte të ishte pjesë e saj por më keq akoma për shumëkënd që jo vetëm do të donte por do të meritonte të jetë pjesë e armatës së shërbëtorëve të shtetit në institucionet e shtetit. Shteti nuk është i PS, PS është këtu për të bërë shtetin. Është e padiskutueshme që ky është një bast i madh por ky është basti ynë me historinë. Kërkon një punë kolosale në radhë të parë me veten dhe pastaj me të tjerët, në radhë të parë me fjalë por gjithmonë me vepra në mënyrë që edhe pse ajo pjesë e natyrshme e fiziologjisë së brendshme të organizimit të një partie që kërkon fitoren e radhës garantohet por jo duke ngrënë pas shpine shtetin por duke i dhënë shtetit një të atillë shtat para të cilit çdo shqiptar që e do këtë vend të ecë përpara të mbështesë PS.
Mandati i tretë përputhet në kohë me një kohë të re të drejtësisë në Shqipëri dhe flamuri i PS nuk mund dhe nuk do të bëhet dot mbulesë për asnjë ministër, për asnjë deputet, për asnjë drejtor, për asnjë shef, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesap prej tij apo prej saj. E kam thënë dhe më parë sepse e kemi parë që na është dashur të ndeshemi me këtë sfidë dhe e përsëris dhe sot, partia nuk mban përgjegjësi për askënd që shkel në dërrasën e kalbur të paligjshmërisë por mban përgjegjësi për sesi reagon ndaj kujt shpallet nga drejtësia si i kërkuar për shkelje. Reagimi ynë do të jetë edhe më i qartë dhe më i prerë: "Ik sqarohu para drejtësisë me avokatin tënd sepse PS nuk është zyrë avokatie e asnjërit nga ne por është nismëtarja, është garantja, është mbështetësja e reformës në drejtësi, e institucioneve të reja të drejtësisë dhe është prijësja e luftës për barazinë e të gjithëve përpara ligjit".
Reforma në drejtësi dhe lufta kundër drejtësisë së vjetër dhe tutorëve të saj është një vijë e kuqe ndarëse jo vetëm mes nesh dhe armiqve të reformës në drejtësi por mes dhe PS dhe kujtdo brenda nesh që hyn në gjynah me popullin dhe shtetin shqiptar duke abuzuar me detyrën për përfitime të paligjshme. Portat nga qielli, portat nga deti, infrastrukturat e mëdha rrugore, energjitike, industria e turizmit, rritja e eksporteve bujqësore, dixhitalizimin e qeverisjes dhe shërbimeve publike ne do ti realizojmë gjatë kësaj dekade siç jemi zotuar por pa e futur në këtë valë të madhe reformash dhe punësh atë pjesë të shqiptarëve që deri më sot është ndjerë e përjashtuar për shkak të mbylljes apo përplasjes së derës në fytyrë kur kërkon një të drejtë, një shërbim apo punë të merituar Shqipëria mund ta rrisë ekonominë edhe më shumë se asnjëherë më parë por nuk mund të bëhet një shtet që garanton lirinë, punën, drejtësinë si një vend anëtar i BE. Nuk mund të bëhet një shtet që garanton mbrojtjen për fëmijët e vet por do të mbetet një vend që fëmijët i lë rrugëve dhe kjo për PS është sfida e re e madhe morale përballë historisë njësoj si sfida e re e madhe përballë historisë e atyre burrave dhe grave që i pamë në ekran kur filloi ky Kongres, e barabartë.
Super me projekte të mëdha strategjike dhe projektet e mëdha të brendshme apo të huaja por më shumë, shumë më shumë se në dy mandatet e para dhe patjetër shumë herë më tepër sesa në tërë këto 30 vjet politika jonë, qeverisja jonë, komunikimi ynë duhet të fokusohet te kapitali njerëzor shqiptar dhe inovacioni teknologjik i Shqipërisë duke nisur nga familja, fëmijët, të rinjtë, shkolla, universiteti, duke vazhduar çdo ditë për të hapur në mënyrë domethënëse tregun e ri dixhital për më të rinjtë në mënyrë që ata të hyjnë në një treg mu nuk ka rëndësi se ku je, je pjesë e këtij tregu. Ky duhet të jetë dhe mandati i fjalimeve të mia më të shkurtra por kjo është sfidë më vete.
Për politikën shqiptare, 30 vjet, kam parasysh bamin dhe bumin, hamin dhe humbin, tamin dhe tamtamin e përditshëm që ua ka bërë shqiptarëve politikën një shejtan që u trazon edhe gjumin pasi u ka nxirë gjithë ditën. Kjo lloj dallavereje e pambarimtë nuk është më për ne nëse duam ti mbarojmë punët e stërmëdha që duhen bërë me sesbën për ta ngjitur Shqipërinë në atë majë ku ky popull prej për 30 vjet ta shohë dhe më besoni as për 30 vjet të tjera nuk mbërrihet duke harxhuar 30 herë më shumë energji për bam e për bom sesa për punë dhe jo për gjumë. Duhet medeomos duke u përqëndruar te populli dhe puna. Duhet tu ikim sherreve, të shmangim konfliktet, duhet të heqim dorë fare, ti lëmë kundërakuzat kur na akuzojnë, fushata ka mbaruar, PS ka fituar dhe PS ka fituar për të pasur katër vjet kohë duke thënë atë që do të bëjë. Pasi ka fituar duhet të bëjë atë që ka thënë që të fitojë Shqipëria.
Duke fituar Shqipëria PS të fitojë përsëri, e përsëri. Çfarë na duhet ne se çfarë bën PD? Ç'punë kemi ne sesi i bën apo nuk i bën zgjedhjet brenda saj, si kremton fitoren e zgjedhjeve të lira pa u numëruar votat dhe pastaj nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve të vjedhura pasi votat u numëruan.Çfarë na intereson ne se di apo nuk di PD si e qysh ta lidhë kalin edhe në portën e DASH që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit, edhe në sallën e gjykatës së Parisit që kali të dëshmojë kundër DASH, ç'punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh do të korrësh, thotë populli. Kush bën sherr dhe shamatë, sherrin do ti shohë sherrit dhe shamatën do ti dëgjojë shamatës. Shqipëria veç për sherr dhe shamatë nuk ka as kohë dhe as energji për të humbur, tërë kohën dhe energjinë duhet ta shpenzojmë që tu kthejmë shqiptarëve borxhin e madh të mandatit të tretë.
Është e vërtetë që është hera e parë që ndodh në Shqipëri, është shumë e rrallë në historinë e zgjedhjeve në Europë por nuk është si kupa e kampionëve dhe as si kuba e botës. Kur fiton kupën e arrite, e mbarove, more dhe kupën dhe ja dole. Kur fiton zgjedhjet vetëm kore të drejtën që të shërbesh dhe thjesht tu dha mundësia të vazhdosh luftën për ata që ta japin atë të drejtë. Me PD do të debatojmë sa të mundemi, kur të mundemi për politikat që i duhen vendit ndërsa politikën që e ka ezauruar vendin nga nervat ne do ta mbajmë në distancë higjienike nga vetja kudo ku të na shfaqet, nuk është punë për ne, ka plot që mund ta ushtrojnë atë lloj politike, ka plot që mund të furnizojnë me atë lloj politike klubet politike, të gjitha kanalet dhe portalet.Ne kemi kaq shumë sfida dhe kemi marrë përsipër një gjë kaq të madhe sa një fije e hollë na ndan mes lavdisë dhe turpit në fund të këtij mandati të tretë, një fije shumë e hollë.
Opozitën nuk e zgjedhim vetë, e zgjedh populli dhe në respekt të gjithë atyre që e kanë zgjedhur PD ne e kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit në interes të gjithë shqiptarëve, sepse hallet, problemet dhe shpresat e tyre nuk janë të ndara në halle të majta dhe halle të djathta, probleme të purpurta dhe probleme blu, por janë njësoj njerëzore siç janë njësoj njerëzore shpresat dhe ëndrrat e të gjithë atyre. Duke jetuar të ndarë në sherrin e pandalur ne thuajse kemi harruar njerëzoren dhe shqiptarët në gjithë mexhelisin e përballjes dhe betejave politike. Sëbashku me ata që organizojnë cirqet e mexhelisit kemi infektuar tërë dynjanë, kemi futur në çdo shtëpi dhe mbi të gjitha kemi dhënë në sytë e çdo fëmije shembullin më të keq të mundshëm duke bërë në publik ato gjëra që në shtëpi çdo prind i thotë fëmijës kjo nuk bëhet.
Njerëzit nuk kanë faj që politika u duket si punë politikanësh ndërsa politikanët si punë hajdutësh dhe hajvanësh. Jo, ne jemi të gjithë njerëz dhe të gjithë jemi shqiptarë.Si njerëz dhe shqiptarë duhet të bëjmë më të mirën që politika të jetë e mirë me njerëzit dhe të jetë më e mira e mundshme për Shqipërinë. Ndërsa ne socialistët jemi njerëz dhe shqiptarë, por që kemi dhe një fuqi të madhe në dorë për Shqipërinë që quhet PS.
Prandaj shumica dërmuese e shqiptarëve dhe jo pak prej atyre që nuk na votojnë, thonë o e bëjnë këta o ky vend nuk bëhet. Le tu japim shqiptarëve provën që kanë të drejtë kur e thonë këtë duke e bërë këtë vend shtet të denjë europian që edhe si njerëz të ndihemi mirë nesër para fëmijëve tanë dhe fëmijëve të tyre. Nëse ne do të bëjmë sot atë që duhet, nesër do ta duan Shqipërinë jo vetëm prej gjakut, bukurive dhe historive të saj por edhe për kushtet në të cilat ata jetojnë këtu në Shqipëri. Kjo është sfida dhe kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë për mandatin e tretë.

