Balla: Kundërshtarët politikë kanë kryetarë, por jo liderë
Sekretari i përgjithshëm i PS-së Taulant Balla, në fjalën e tij ditën e sotme në Kongresin e partisë tha se Shqipëria po fillon bisedimet për anëtarësimin në BE. Ai nuk la pa përmendur dhe kundërshtarët politikë dhe tha se ata kanë kryetarë, por jo liderë.
Balla: "Shqipëria po fillon bisedimet për anëtarësim në BE, sot Shqipëria pret stërvitjen më të madhe ushtarake të forcave të NATOS dhe rrit rolin e saj si partner strategjik. Sot Shqipëria mban pozicionin e vet më të lartë ndërkombëtar si anëtarë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sot jemi të gjithë 30-vjeçarë, vlerat e socialistëve kanë spikatur edhe në momente të vështira. Ne sot jemi në kohën e duhur për të filluar një analizë të thellë të rezultateve të votimit.
Nga kjo analizë ne duhet të bëhemi gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023 dhe ato parlamentare në vitin 2025 në ët gjitha qarqet. Kush duhet të zëvendësohet, do të zëvendësohet, duhet një punë si asnjëherë më parë. Kundërshtarët tanë kanë kryetarë, por nuk kanë liderë. Ajo që na duhet është nevoja e një organizimi të plotë në territor. Për të thelluar rezultatin me kundërshtarët tanë, beteja jonë për mandatin e katërtë varet nga angazhimi ynë që sot."
