Ekskluzive/ Dosja e “të fortëve”, SPAK rihap atentatin e Ervis Qarrit, të vrarë në maj të 2013-ës në Kavajë

Prokuroria e Posaçme SPAK vendos të shyjë me 6 muaj hetimet për vrasjen e Vajdin Lamaj, Artan Arsi dhe Klodian Saliut. Prej shkurtit 2021, SPAK, po heton edhe ekzekutimin e Ervis Tafaruçit në Kavajë.

Ekzekutimi i Ervis Tafaruçit alias Qarrit në muajin maj të 2013 në Kavajë, ka tërhequr vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila ka kërkuar dosjen nga prokuroria e qytetit ku ndodhi ngjarja.

Çështja penale që mban numrin 165, do ti bashkohet hetimeve të vrasjes së Vajdin Lamajt, Klodian Saliut dhe Artan Arsit.

Nën hetim janë marrë Lulzim Berisha, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi, Plaurent Dervishi, Indrit Taulla, Luftar Reçi dhe Indrit Rusi.

Ora News mëson ekskluzivisht se SPAK tashmë ka hapur hetimet për këtë vrasje të kryer 7 vite më parë.

Tafaruçi, ishte anëtar i bandës së Durrës dhe dyshohet se për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale në këtë qytet, ai mbeti i vrarë në muajin maj të vitit 2013.

Dosja ka qysh prej muajit shkurt 2021 që është tërhequr nga Prokuroria e Posaçme dhe i është ngarkuar tre prokurorëve Altin Dumani, Vladimir Mara dhe Elida Kaçkini.

Tre prokurorët e mësipërm kanë vendosur të shtyjnë hetimet edhe për me 6 muaj të tjerë, për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lamaj dhe Artan Arsit.  

Si shkak për këtë veprim është dhënë koha e nevojshme për hetimin, e cila është vendosur që të jetë data 26 nëntor 2021.

SPAK ka kryer ekspertimin e dhjetëra telefonave që janë gjetur dhe sekuestruar si dhe ka administruar dosjen e datës 23 nëntor 2012 të dënimit të Emiljano Shullazit dhe Edison Harizaj nga Gjykata e Lezhës.

Njëherësh janë marrë regjistrat e takimeve në disa burgje të vendit, takime këto që kanë kryer të dënuarit Lulzim Berisha, Indrit Taullau, Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi.

Gjithashtu janë marë si prova komunikatat e brendshme të policisë së qarkut Durrës, nga periudha janar 2005 deri në periudhën shkurt 2005, ku SPAK thotë se janë gjetur prova me interes për hetimin e kësaj çështje.

Gjithashtu janë marrë hyrje-daljet e disa personave të huaj dhe shqiptarë, në pikat kufitare të Bllacës në Dibër dhe në pikën Kufitare të Qafë-Thanës e Rinasit.