Dënimi i genocidit serb, Burimi: Shpresoj të jem gjallë kur Serbia të njohë Kosovën

Gazetari Genc Burimi, në një lidhje të drejtpërdrejtë për  RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se krijimi i një tregu të përbashkët evropian, i diskutuar në Samitin e liderëve të Ballkanit është një plan i hershëm dhe është ide e evropianëve dhe amerikanëve. Sipas Burimit, për evropianët krijimi i një tregu  të përbashkët ekonomik i shërben stabilizimit të paqes në rajon.

Burimi:" Ky është një plan i hershëm, është gjithmonë ideja e evropianëve dhe amerikanëve që paqja vjen vetëm nëpërmjet tregtisë. Nga ana teorike, filozofike krijimi i kësaj hapësire ekonomike ballkanike, sipas evropianëve i shërben stabilizimit të paqes në rajon. Në Ballkan nuk ka pasur ende një falje publike. Në Ballkan Serbia vazhdon ende të këndojë si gjeli, kur ende nuk bën falje dhe ende vazhdon tregon dhëmbët kundrejt Kosovës. Krijimi i një tregu të përbashkët ballkanik minohet nga brenda, pikërisht nga roli i Serbisë që nuk ka ende guxim të shohë historinë në sy dhe të kërkojë falje."

Përsa i përket çështjes së njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë, Burimi tha se kjo do të marrë shumë kohë dhe shpreson të jetë gjallë kur kjo të ndodhë.

Serbia e ka në Kushtetutë Kosovën dhe në Serbi thuhet që Kosova i përket, sipas gazetarit Burimi.

Burimi:" Do shpresoja të isha gjallë kur të shikoja Serbinë të njohë Kosovën. Kosova është në Kushtetutën e Serbisë. Cili është ai President serb që do guxojë të heqë Kosovën nga Kushtetuta? Kjo është një utopi. Për mua është utopike që Serbia të njohë Kosovën. Ashtu si themi ne që Serbia duhet ta njohë Kosovën, ashtu thuhet dhe në Serbi që Kosova na përket. Jemi sot Kosovë-Serbi siç është Palestina me Izraelin."

Përsa i përket fjalës së zotit Rama që kryeministri Kurti duhet të ishte konsultuar  me aleatët për të denoncuar Serbinë për genocid, Burimi tha se axhenda e Ramës është e ndryshme nga ajo e Kurtit. Burimi thotë se Serbia para se të njohë Kosovën, duhet t'i kërkojë falje për gjithçka që ka bërë në Ballkan.

Burimi: "Rama ka një tjetër axhendë, Rama ka axhendën e integrimit  dhe axhendën e krijimit të një shengeni ekonomik. Axhenda e Ramës bie në kundërshtim me axhendën e disa politikanëve në Kosovë. Kurti ka ardhur në pushtet si patriot. Kjo "kokëfortësi" e Kurtit shkon ndesh me qëllimet e Ramës dhe evropianëve. Si mundesh ti Ramë të ecësh mbi gjakun e kosovarëve që u masakruan. Është temë  shumë e rëndë. E keqja është që Serbia nuk kërkon falje. Para se Serbia të njohë Kosovën duhet t'i kërkojë falje për gjithçka që ka bërë në Ballkan."