Maturantët në protestë këmbëkryq para MAS, QSHA: Nuk mund të marrin të gjithë 10 në Matematikë
Provimi i matematikës i ka ngritur maturantët në një protestë para Ministrisë së Arsimit dhe Qëndrës për Shërbime Arsimore. Prej andej ata kërkuan rishikimin e shpërndarjes së pikëve, duke pretenduar se testi ishte i vështirë. Nga ana tjetër institucionet arsimore hedhin poshtë pretendimet e tyre, por nuk përjashtojnë mundësinë për një rishikim të nivelit të pyetjeve.
30 minuta para se maturantët të protestonin për vështirësitë që hasën në provimin e matematikës, Qendra për Shërbime Arsimore doli në një konferencë për të sqaruar pretendimet e tyre.
QSHA sqaroi se provimi i ishte i një niveli mesatar, dhe se pyetjet nuk kishin asnjë gabim shkencor.
"Në test nuk ka asnjë pyetje që ka një gabim shkencor, nuk ka asnjë pyetje që të jetë jashtë programit orientues të Maturës Shtetërore .Testi i maturës ishte në pajtueshmëri me programin e maturës të miratuar në nëntor 2020. Përmbante pyetje të nivelit të parë, të dytë dhe të tretë. Dy nivelet e para kishin nga 24 pikë ndërsa niveli i tretë dhe ai më i vështiri ka pasur 12 pikë. Nuk ka vend për tu shqetësuar. Dhe për 10 janë 4- 5 pikë që e bëjnë diferencën."
Në çdo rast garancia sipas drejtuesve të Qendrës për Shërbime Arsimore është te sistemi i pikëzimit dhe vlerësimit.
“Sot ka nisur procesi i korrigjimit dhe korrigjuesit janë informuar se edhe nëse do të ketë një zgjidhje të dytë alternative e saktë shkencërisht do vlerësohet. Testi përmban 12 pikë nga niveli i tretë. Nga këto 5 pikë bëjnë diferencën nga 9 dhe 10. “Nuk mund të marrin të gjithë 10 në matematikë. 4 pikëshi do të bëjë diferencën”.
Gjithashtu nga QSHA u bë e qartë se do të ketë rishikim të pikëve te ato pyetje ku janë përgjigjur me pak se 20 përqind e maturantëve.
"Nëse rezulton që një pyetje vërtet mund të ketë kaluar pritshmëritë tona atëherë në këtë moment ne do të bëjmë verifikimin e saj."
Të rinjtë kërkojnë rishikim të shpërndarjes së pikëve
Pikërisht për rishikimin e e shpërndarjes së pikëve maturantët ngritën zërin para Ministrisë së Arsimit.
"Marrin teza nga jashtë se nuk dinë ti hartojnë dhe vijnë e kërkojnë suksesin te ne. Po na vrasin ëndrrat".
As këtë herë nuk mungoi personazhi simbol i protestës. Një vit më parë ishte Turi, kurse këtë vit Sindi.
"Testi që bëmë dje ishte komplet ndryshe nga programi.Nuk kishin asnjë lidhje me njëri-tjetrin."
Paralelisht me Tiranën, protesta u zhvillua edhe në qytete të tjera.
Nga Shkodra, Korça, Lushnja, Gjirokastra dhe Fieri maturantët artikuluan të njëjtin shqetësim.
"Fakti që është përkthyer nga gjuha angleze teza do të thotë se niveli i vështirësisë së tezës dhe niveli i arsimit në dy vende të ndryshme ëhstë komplet ndryshe."
"Kam dalë shumë e zhgënjyer nga provimi sepse mu duk shumë e çuditshme që na kanë dhënë shpresa se provimi do të jetë i thjeshtuar".
Protestën maturantët e kryeqytetit e zhvendosën më pas te QSHA.
Megjithëse kërkesës së tyre ju përgjigj Ministrja e Arsimit duke thënë se do të behët një rishikim i nivelit të testit, maturantët nuk u terhoqën.
"Reagimi i saj është vetëm për ti vënë më shumë bojë vetes së saj, mashtruesa."
Disa prej tyre thonë se nëse nuk ka një zgjidhje do të bojkotojnë edhe provimin e fundit të maturës.
"Nuk futemi në provim pa na dhënë një përgjigje."
Pas 2 orësh, maturantët mbyllën protestën duke thënë se do të mblidhen përsëri të dielën në përpara Ministrisë së Arsimit.
Ku janë hasur vështirësitë?
Specialistët shpjegojnë se maturantët kanë hasur vështirësi në pyetje të situatës reale. Si shembull ata sjellin ushtrimin me anijen, dhe pistën e biçikletës. Për këtë ushtrimin e dytë kërkesa e parë ka qenë e nivelit të parë dhe kërkesa e dytë e nivelit të tretë.
Por “nxënësit që kanë hyrë me mendimin që unë do kopjoj dhe provimi ka dalë më rigoroz është tjetër gjë. 5 pikë bëjnë dallimin 9- 10” tha nje specialiste e QSHA
Maturantët kanë dalë të protestojnë edhe në qytete të tjera, si Shkodra, Gjirokastra.
Pyetjet e hartuara keq u bënë shkak për protesta edhe vitin e shkuar, kjo sidomos në provimin e Gjuhës.