Prishja e ndërtimeve pa leje, Çuçi: Fillimi i fundit të marrëzisë për të zaptuar territor sipas dëshirës
Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë”.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se ky operacion është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës.
Lajm i mirë në këtë aksion sipas Çuçit, është fakti që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet.
Sipas tij, e gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit.
IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime.

