Maturantët në Tiranë e rrethe mbushin sheshet: Testet e Matematikës u përkthyen keq. Ministria rishikon vlerësimin
Testet e Matematikës kanë rikthyer protestat e të rinjve.
Në Tiranë tubimi paraditen e sotme nisi para Ministrisë së Arsimit, ku maturantët shprehën me duartrokitje, pankarta dhe brohoritje pakënaqësitë e tyre
“Kërkoj uljen e pragut të pikëve dhe vendosja e drejtësisë” thotë një maturante.
"Unë kam që në shkurt që punoj me programet orientuese por dhe me teste model por testi që bëmë dje ishte tërësisht ndryshe”
Marshimi vazhdoi drejt Qendres për Shërbime Arsimore. Pyetjet e përkthyera keq dhe jashtë kurrikulës ishin në qendër të protestës
“Problemet ishin plagjiaturë, nuk ishin të hartuara nga hartuesit por ishin të përkthyera”

Në Lushnje maturantët kanë hedhur vezë mbi ndërtesën e Drejtorisë Arsimore në shenjë pakënaqësie
Thuajse në të gjithë rrethet, edhe pse pa një organizator kërkesat dhe thirrjet e maturantëv ishin të njëjta.
“Kërkojmë nga zonja minisre rivlerësim të testit”
Qëndresa ka sjellë dhe reagimin e Ministres së Arsimit.
Pa dhënë përgjigje mbi akuzën se pyetjet janë përkthyer keq, ministrja Evis Kushi shprehet se me grupet e ekspertëve po vlerësohet edhe një here niveli i vështirësisë.
E nëse e tejkalon nivelin do të rishikohet dhe pikësimi i vlerësimeve
"Të dashur maturantë, Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!"
Deklarata e ministres u bë në kohën kur maturantët qëndronin në protestë pranë QSHA, herë ulur e herë duke respektuar autoambulancat që kalonin pranë. Por pavarësisht kësaj, pakënaqësia e tyre nuk u shua
"Protestat do vazhdojnë çdo ditë derisa të marrin një përgjigje” u shpreh një maturante tjetër.
Protesta pati dhe në Shkodër e Gjirokastër.