Qendrat e votimit në ambjentet private, Kolegji pranon ankimimin e PS-së

Kolegji Zgjedhor në shqyrtimin e parë të ankesave për zgjedhjet e 23 qershorit ka pranuar kërkesë-padinë e Partisë Socialiste për ndryshimin e vendit për tre qendra votimi në Tiranë. Në vendimin e tij kolegji ka caktuar që këto qendra do të zhvendosen në shkollën 9- vjeçare “Pal Engjëlli”. Sipas padisë së bërë nga subjekti politik PS, vendet që kishte vendosur KQZ si qendra votimi ishin në kundërshti të plotë me ligjin. Sipas tyre pronari i ambjentit privat ishte vëllai i drejtuesit të seksionit të PD në minibashkinë numër 4 në kryeqytet.Për këtë fakt duhet bërë edhe ndryshimi i tre qendrave për ti zhvendosur në shkollën “Pal Engjëlli”, e cila ndodhet vetëm 300m larg nga vendi i vendosur si qender votimi nga KQZ. Ndërsa përfaqësuesi i KQZ argumentoi se ky ambjent ka shërbyer si qendër votimi në zgjedhjet e 2011. Sipas KQZ alternativa e shkollës “Pal Engjëlli” ka rënë për shkak të largësisë prej disa km që kishin votuesit dhe kjo gjë sipas KQZ do të cënontë procesin, pasi votuesit janë primarë.Ndërsa është vazhduar me argumetimin se këto ambjente nuk kanë shërbyer si zyra elektorale dhe i plotësojnë të gjitha kriteret e një qendre votimi. Ndërsa si palë e interesuar në proces, PD, ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së PS pasi në asnjë çast vendndodhja ka qënë një problem për procesin zgjedhor.Ky ambjent sipas PD nuk është në pronësi të kësaj force politike apo kandidatëve .Pasi ka dëgjuar palët Kolegji ka vendosur të pranojë kërkesën e PS, duke ndryshuar vendndodhjen vetëm 20 ditë para ditës së zgjedhjeve.