Cërrik, plagoset efektivi i policisë, qëllohet me thikë, ndalohet autori

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Cërrik, ku një efektiv i policisë së Elbasanit, i cili ishte angazhuar për ruajtjen e sigurisë në mitingun e PD-së ka mbetur i plagosur.

Burime nga policia e Elbasanit bëjnë me dije se është plagosur me thikë Bashkim Malo,  punonjës në sektorin e luftës kundër trafiqeve në Elbasan. Blutë e Elbasanit kanë sqaruar menjëherë ngjarjen.

Kështu sipas versionit zyrtar, polici Malo ka ndërhyrë për të ndarë dy persona të cilët kanë qënë duke u zënë në një lokal në qendër të Cërrikut. Ky ka qënë moment që sipas policisë është plagosur edhe Bashkim Malo, duke marrë tre goditje me thikë në trup. Ndërsa blutë kanë mundur të identifikojnë dhe më pas të arrestojnë autorin, Dilaver Hyseni.

Por burime konfidenciale të “Ora News”, në policinë e Elbasanit, konfirmojnë se mes dy personave ka patur njohje të mëparshme dhe ngjarja është pasojë e një konflikti të hershëm midis të dyve. Po të njëjtat burime, po edhe qytetarë të Cërrikut vërtetojnë se Bashkim Malo ka hyrë në lokalin e Dilaver Hysenit duke e ofenduar. Pas këtyre ofendimeve Hyseni ka marrë thikën dhe ka goditur tre herë Malon duke i shkatuar plagë serioze për jetën në trup dhe kokë. Menjëherë i plagosuri është trasportuar për në urgjencën e qytetit të Elbasanit, ku ndodhet në gjendje të stabilizuar për momentin.

Policia bën me dije se ka dërguar në paraburgim autorin i cili po merret në pyetje për të sqaruar të gjithë ngjarjen dhe shkaqet që çuan atë në aktin e rëndë ndaj efektivit të policisë.