Berisha: Rama do të krijojë shtetin e autobusit mavi

Kryeministri Berisha ka vijuar sërish me sulmet ndaj kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe programit të opozitës.Ndërsa ka përuruar një fabrikë të përpunimit të peshkut në Hudënisht të Pogradecit, shefi i qeverisë ka theksuar se Rama kërkon të krijojë shtetin e autobuzit mavi ndërsa ka shtuar se kryesocialisti kërkon të realizojë ato të cilat janë përfunduar nga qeveria.“Ne po ecim me një program të fuqishëm për biznesin. Unë pashë këtu autoklavat e presionit të lartë dhe makineri të tjera, të gjitha janë blerë duke paguar TVSH-në, por tani do të blihen pa paguar asnjë taksë e tarifë. Këto ne i kemi bërë realitet. Pala tjetër premton të bëjë realitet atë që ne kemi bërë realitet. Por një gjë nuk e lëshoi dot. Kur vjen puna tek nafta, thotë do të heqim akcizën, se tollonat atë kohë u shndërruan në tollona të partisë. Ne do t’u japim akcizën e naftës në dorë fermerëve, për aq sa harxhojnë. Ne kemi filozofi krejt tjetër. Pala tjetër bërtet për taksat, por nuk thotë sa ulen. Ajo thotë se 5 përqind e shqiptarëve do të mbajnë të gjithë Shqipërinë, kur në vendet e lira është  e kundërta, janë 90-95 përqind e taksapaguesve që mbajnë vendin dhe ekonominë. Ai do të krijojë shtetin e autobusit mavi. Por shteti i autobusit mavi është shteti i fiksimeve. Unë jam njeri që e kuptoj atë më mirë se kushdo tjetër. Të vijë burri 50 vjeç me kompleksin e Edipit e të mos çlirohet, e hidhur, e palidhur kjo, por ndodh. Imagjinoni, ai që ai që urren babën, se çfarë ndjenjash ka për gjyshin. Por i falet plotësisht se e ka nga kompleksi i Edipit. Nuk  u shërua dot, e kapi, e vuajti, e përjetoi, ia bëri si ia bëri atë jetë, por ai është një kompleks. Është për t’u mëshiruar, është i sëmurë. Nuk them gjë tjetër për të” tha Berisha.Kryeministri Berisha ka vlerësuar edhe vizitën e kryebashkiakut Basha në  zyrën elektorale të kandidates së PS-së Lindita Nikolla dhe takimin me këtë të fundit.“Zoti Basha ishte në mision të shërbimit të qytetarëve. Rastisi që po rregullohej rruga, pasi zoti Rama la si trashëgimi 250 kilometra rrugë e rrugica të baltosura në Tiranë. Natyrisht, Basha bëri mirë që po ndërton rrugën ku është zyra e përkohshme e zonjës Lindita Nikolli dhe kjo është normale. Por shoku është në autobus mavi. Po ta shihni e dëgjoni, ai i ka të gjitha elaboratet nga autobusi mavi, ia redakton Koçoja, pasi ai është zëvendëshoferi, ndonëse de facto është shoferi i autobusit” tha kryeministri.Gjithashtu kryeministri Berisha premtoi ndërtimin e korektorit të liqenit të Pogradecit si dhe mbrojtje të veçantë liqenit nga UNESCO."Së pari do të përfundojë tërësisht kolektori nga Lini në Tushemisht. Ky është zotim solemn dhe nuk lëvizim nga kjo. Së dyti, po punojmë me UNESCO, për t’i dhënë një mbrojtje shumë të veçantë liqenit. Së treti, liqeni ka një potencial ekonomik të jashtëzakonshëm, me llojet e pakrahasueshme të peshqve. Po bëjmë gjithçka që të vendoset kodi dhe disiplina më e mirë për zhvillimin e shfrytëzimin e këtyre potencialeve. Natyrisht, një autoritet është i domosdoshëm. Liqeni është pasuri e jashtëzakonshme. Dy janë liqenet ndër më të thellë e Europës dhe Azisë: Ohri dhe Bajkali. Bajkali është në thellësi shumë të mëdha, ndërsa Ohri është në zemër të Europës. Kush nuk do të dojë ta vizitojë! Ndaj do bëjmë gjithçka për të. Ndërtimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë dhe përfundimi i tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan do të dyfishojë turizmin, sepse nga Tirana do të vihet në Pogradec, minimumi duke kursyer gjysmën e kohës. Pra, është në një zhvillim shumë të fuqishëm. Po ashtu rruga nga Lini në Pogradec do të jetë një nga shëtitoret më të gjata në Shqipëri, me ndriçim e trotuare, në harmoni me liqenin. Pro shoku, nga autobusi me xhama të zinj, u tmerrua kur pa rrugën. Ka frikë nga rrugët. Deri më 23 qershor të thotë e të shajë ç’të dojë, ne do të vazhdojmë fushatën me vlera të qytetëruara, ne do interesohemi për rrugët, ujësjellësit, rrugët, integrimin europian” tha Berisha.