Zgjedhjet, Aleanca Popullore hap fushatën elektorale
Aleanca Popullore ka hapur sot fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.Në ceremoninë e cila është zhvilluar në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" janë prezantuar kandidatët për deputet të Aleancës Popullore në 12 qarqet e vendit.Në fjalën e tij, kreu i Aleancës Popullore Artur Dojaka theksoi se kjo forcë politike do të bëjë të mundur që çështja came të bëhet çështja e shtetit shqiptar."Ne jemi sot më të mobilizuar se kurrë. Të zhgënjyer nga vorbulla politike ku disa rrugëhumbur e kanë futur sot çështjen çame i morëm vetë në dorë fatet tona. Jemi sot këtu si një forcë e aksionit politik, jemi vetëvetja, jemi aleanca popullore. Në kordinim të plotë me faktorin politik kombëtar dhe ndërkombëtar jemi sot më të konsoliduar se më parë. Ne vijmë si pjesë e koalicionit të madh të fitores me qëllim përfaqësimin dinjitoz të komunitetit çam. Jemi këtu sepse duam një shoqëri më të mirë për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Çështja kombëtare nuk mund të jetë më paterica e radhës ku gjejnë mbështetje politikanët. Ne kemi dhënë zemrën tonë në qëllimin e një kauze. Për herë të parë çështja çame do të bëhet ceshtje e shtetit shqiptar" tha ai.Kreu i AP-së tha më tej se Aleanca Popullore është e bindur që ndryshimet i sjell politika dhe ajo duhet të përfaqësohet nga elitat dhe jo nga militant politikë.“Ky ortek bindjeje dhe mbështetje tashmë e ka një emër: Aleanca Popullore! Ne vijmë tani si pjesë e koalicionit fitues, me qëllim përfaqësimin dinjitoz jo vetëm të komunitetit çam, por të çdo shtrese popullore, për shqiptarët anembanë botës!" tha Dojaka.Ndërsa poeti Arben Duka i cili është edhe kandidat për deputetë i kësaj force politike theksoi se Aleanca Popullore nuk është vetëm një parti e çamëve por ajo është shumë më tepër se lëvizja çame.“Ndjehem i vlerësuar që partia më ka ftuar të konkuroj për ju. Ftoj kryetarin tuaj nga fisi më i nderuar i Çamërisë, Dojaka, që më ftoi të kandidoj. Ne jemi nr. 3 listën e votimit, por nr.1 i aleancës së majtë”, tha Duka.Partia "Aleanca Popullore është pjesë e koalicionit “Aleanca për një Shqipëri Europiane”. Ajo ka në thelbin e saj si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e çështjes kombëtare dhe në veçanti zgjidhjen e çështjes çame.