Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut çel fushatën elektorale në Vlorë
PBDNJ ka çelur në qytetin e Vlorës fushatën elektorale të 23 Qershorit. Minoritarë dhe simpatizantë u mblodhën në Pallatin “Labëria”.Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule në fjalën e tij në këtë takim u shpreh:“Fushata parazgjedhore po hyn në fazën e fundit. Ditën e zgjedhjeve përcaktojmë fatet tona, të çdo qytetari, të çdo familjeje, të mbare shoqërisë, të vendit. Prandaj, kërkohet prej të gjithëve debat politik, kërkohet dialog, jo monologë pafund. Kjo është fryma e PBDNJ-së dhe më lejoni në këtë frymë të paraqes para jush qëndrimet tona për disa nga çështjet kryesore siç ato përfshihen në programin tonë. PBDNJ është një forcë politike konstante, që si prioritet strategjik të programit të saj, të vizionit të saj, të aktivitetit dhe aksionit politik ka integrimin evropian, integrim, një fjalë që në vendin tonë nga lakimi i tepërt prej gjuhës së drunjtë politikës dhe politikanëve po humbet kuptimin. Një integrim që shndërrohet në slogan në vend që të jetë motiv, burim energjish, pikë e paluhatshme orientimi, e çdo qëndrimi, e çdo nisme, e çdo aktiviteti. Kemi qenë insistues dhe kemi një kontribut të veçantë në emërtimin e koalicionit tonë “Për një Shqipëri Evropiane”. Nga ana tjetër kemi një koalicion të papunësisë, të skamjes, të dështakëve të integrimit, të atyre që për vite me radhë e mbajnë vendin tonë larg familjes evropiane, të atyre që dëshirojnë, vetëm e vetëm për interesat e tyre të ngushta ta mbajnë në distancë”.Dule gjithashtu shtoi: “Këtu në qarkun e Vlorës fitorja është e dukshme në çdo drejtim. Qytetarët dhe komunitetet i kanë që tani sytë të kthyera nga koalicioni opozitar, aty e kanë shpresën, aty e kanë pritshmërinë, aty shikojnë të ardhmen e tyre. Qytetarët presin nga ne një shtet të së drejtës, presin në radhë të parë respektimin e vullnetit të sovranit”.Mbas takimit në Pallatin “Labëria”, Kryetari I PBDNJ-së, Vangjel Dule u takua me banor të fshatit Nartë të qarkut Vlorë, ku ai bashkëbisedoi me banorët rreth problemeve të minoritetit duke u shprehur se: “Duhet të jemi të bashkuar dhe të mbrojmë të drejtat e minoritetit”. Më tej ai foli për çështjet e pronësisë, për çështjen e pensioneve dhe rikthimin e tyre tek minoritarët e moshuar, për çështjen e mbishkrimit të toponimeve në pasaportat shqiptare të fëmijëve që kanë lindur në Greqi dhe për çështjen e ruajtjes së votës. Në fund të takimit Kryetari i PBDNJ-së iu përgjigj pyetjeve të shumta të banorëve të fshatit Nartë.