PD në Pogradec, Berisha: Me këmishë apo me parzmore të jem unë, Rama i humbur dhe i pashpresë

Partia Demokratike ka vazhduar rrugëtimin e saj elektoral në qytetin e Pogradecit, ku prezantoi edhe kandidatët e saj për deputetë.

Shefi i qeverisë, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Demokratike, ka zhvilluar disa aktivitete ditën e sotme në qytetin e Pogradecit.  Ai ka marrë pjesë në inagurimin e rikonstruksionit të korpusit të spitalit të qytetit, ka zhvilluar një townhall dhe ka përuruar një fabrikë të përpunimit të peshkut në Hudënisht. Dhe në fund të ditës Berisha ka marrë pjesë në takimin elektoral ku ka prezantuar dhe kandidatët për deputetë.

Kryeministri Berisha ka deklaruar përpara mbështetësve të tij se Partia Demokratike me programin e saj do të bëjë gjithëçka për të rritur punësimin, për të rritur rrogat, që Shqipëria të eci në rrugën e integrimit Europian.

“Jam sot përpara jush për të paraqitur programin tonë të ri për Pogradecin Europian. Në këtë projekt ne do të bëjmë gjithçka për krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës, dhe do të mbështesim të gjithë ata që duan të krijojnë një fermë apo një biznes. Vitet e kaluara ishin vite krize, por ne së bashku ja dolëm që të rruajmë ngritjen ekonomike në Shqipëri. Ne ja dolëm që Shqipëria të jetë ndër të paktat vende me ulje të papunësisë, në 250 mijë vende të reja pune sepse kemi rritur me dy dhe 3 herë bizneset e mesme dhe të mëdha. Hoqëm çdo taksë mbi kapitalet, mbi çdo makineri që ju duhet bizneseve për prodhim. Kjo do sjellë shtimin e investimeve vendase dhe rritjen e investimeve të huaja nga 4 në 6 milionë dollarë. Pas përfundimit të ndërtimit të tunelit të Elbasanit, e gjithë Shqipëria do të vërshojë drejt Pogradecit për të shijuar bukuritë e mrekullueshme të tij. Partia Demokratike në këto vite ka realizuar një nga projektet më madhore që është projekti i Shqipërisë dixhitale. Qeveria ka firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e 363 hidrocentarleve në lumenjtë e Shqipërisë. Vetëm në Pogradec, Korçë e zonat përreth, do ndërtohen 60 të tillë, me investim prej 300 milionë eurosh, me kapacitet të barabartë pothuajse me Fierzën. Kjo është Shqipëria që po ndërtojmë dhe po zhvillojmë ne. Me programin tonë ne do të bëjmë gjithëçka për të rritur punësimin, për të rritur rrogat, që Shqipëria të eci në rrugën e integrimit europian”, u shpreh Berisha.