Ish-shefi i policisë së Ulqinit u gjet i vdekur, dyshohet se është ekzekutuar me plumb në kokë
Trupi i pajetë i ish-shefit të policisë së Ulqinit, Rudolf Elezoviç i zhdukur që nga data 27 maj, është gjetur në këtë zonë të pyllëzuar pranë një lumi ndërkohë që hetimet për vdekjen e tij vazhdojnë.
Zyrtari i policisë që punonte së fundmi në sektorin e anti-trafikut u gjet i pajetë mbrëmjen e së martës, 8 qershor ndërkohë që rezultatet e para të hetimit tregojnë se Elezović u vetëvra.
Por sipas medieve malazeze burimet brenda policisë thonë se ka detaje që vendosin në pikëpyetje këtë version të ngjarjes.
Policia tha se efektivat e kufirit e gjetën trupin e pajetë të kolegut të tyre Elezović në lumin Bojana.
“Vjesti” shkruan se jozyrtarisht ka mësuar se oficeri kishte një plagë në kokë, e shkaktuar nga një armë zjarri. Megjithatë në vendin e ngjarjes ende nuk është gjetur arma, çka ngre dyshime se polici është vrarë.
Sipas këqyrjes paraprake të ekspertëve dyshohet se polici ka humbur jetën rreth 10 ditë më parë. Hetimet për rastin po drejtohen nga Prokurori i Lartë i Shtetit të Malit të Zi, Zoran Vuçiniç, ndërsa në një përgjigje për mediet e vendit fqinj, zyra e tij tha: se së bashku me oficerët e policisë, shkuan në vendin e ngjarjes për të kryer një hetim, ku gjurmët e gjetura u dërguan për ekspertizë me urdhër të prokurorit.
Një person me inicialet S.E identifikoi trupin dhe konfirmoi se ishte vëllai i tij Rudolf Elezoviç, dhe në rrjedhën e mëtejshme të procedurës do të merren masa dhe veprime të tjera të nevojshme për të cilat paraqitet nevoja, të gjitha në mënyrë që të përcaktohen të gjitha rrethanat e ngjarjes në fjalë.
Mediet malazeze kanë shkruar se Rudolf Elezovic, ka qenë i përfolur për lidhjet e tij me krimin e organizuar, dhe ai shërbente si informator i tyre, ndërsa vdekja e oficerit mendohet se ka lidhje pikërisht me punën që ai bënte në polici dhe i dyshuar si informator i karteleve të trafikut të drogës.
