Dënimi i Mladiç, Gashi: Mesazh për të gjithë kriminelët e luftës që keqpërdorin pozitën gjatë konflikteve
Avokati Tomë Gashi e cilëson një triumf të drejtësisë konfirmimin e burgimit të përjetshëm për "kasapin e Bosnjes" Ratko Mladiç.
Në një intervistë për Ora News me gazetaren Matilda Mcini, Gashi thotë se ish-gjenerali serb është autor i masakrës së Srebrenicës, ngjarja më e rëndë në botën e civilizuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Gashi: Ditën e djeshme i është konfirmuar dënimi me burgim të përjetshëm gjeneralit serb Ratko Mladiç, i cili për vite të tëra gjatë luftës në Bosnje ka qenë në komandën direkte të Sllobodan Millosheviçit i cili është quajtur sepse ashtu është "kasapi i Ballkanit". Ndërsa ky për aktivitetet e tij ushtarake, për masakrat që i ka bërë në territorin e Bosnjes ka pasur një epitet të "kasapit të Bosnjes".
Më e rënda, ajo që është trishtuese dhe që bota civilizuese nuk e ka parë asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë vrasja e mbi 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë dhe kjo gjakderdhje është kryer brenda tri ditëve edhe pse Srebrenica në atë kohë ishte në mbrojtje të OKB-së dhe ishin ushtaratë holandezë që nuk e kryen fare punën e tyre dhe ka pasur dhe dorëheqje të qeverisë holandeze në periudha të mëhershme për shkak të punës jo të mirë që kanë bërë ushtarët e tyre nën ombrellën e OKB.
Gashi thotë se ky është një mesazh për të gjithë ata kriminelë të luftës, që e keqpërdorin pozitën që kanë gjatë konflikteve apo gjatë luftës që nuk duhet në asnjë variant të shkelin Konventën e Gjenevës të vitit 1949.
Gashi: Është një lehtësim i drejtësisë ndërkombëtare dhe për këtë arsye edhe presidenti amerikan e përshëndeti vendimin për dënim të përjetshëm të gjeneralit serb Mladiç.
Avokati komentoi edhe Samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet nesër në Tiranë e ku i pranishëm do të jetë dhe Kurti.
Gashi: Tani është faza e relaksimit, Shqipëria dhe Kosova i kaluan zgjedhjet. Kurti i fitoi zgjedhjet me VV dhe Rama dhe PS. Tani duhet të sillen si burrë shtetas, nëse kanë inate personale për shkak të implikimeve politike për aludimet se Rama ka qenë i përfshirë me Thaçin dhe të tjerë në kiorrigjimin e kufijve të Kosocvës. Duket se dhe vetë Rama i ka lënë këto cështje dhe duhet që më tepër të fokusohet në bashkëpunimin ndërvëllazëror të dy shteteve dhe të lërë anash të pereferuarin që kishte më herët, Aleksandër Vuçiç.
Ndërkohë Greqia ka dhënë sinjale për njohjen e pavarësisë së Kosovës, vendim për të cilin ka spekulime se do të mund të jepet si shpërblim ndaj Kosovës në mënyrë që kjo e fundit të bëjë lëshime ndaj Serbisë.
Për Tomë Gashin kjo nuk do të ndodhë.
Gashi: Është mirë të kemi ndihmën e Shqipërisë dhe kryeministrit Rama por Kosova nuk mund të lëshojë pe në raport me bisedimet me Serbinë që do të fillojnë javën e ardhshme. Ideja që Greqia të na njohë ne në mënyrë që ne të jemi më të relaksuar me Serbinë është vetëm humbje kohe dhe kjo nuk do të ndodhë. Kemi dhe katër shtete të tjera që nuk njohin Kosovë, BE duhet të bëjë trysni me këto shtete, përfshirë Greqinë, që të njohin Kosovën.Kushdo që ndihmon në relaksimin e raporteve dhe dërgimin e mesazheve drejt shteteve të tjera është e mirëpritur por jo ndonjë fitore.

