Multimiliarderët e botës, paguajnë shumë pak mbi të ardhurat që kanë
Super-të-pasurit e Amerikës rezultojnë se tatohen shumë pak mbi të ardhurat që kanë.
Organizata "ProPublica" e cila merret me gazetari investigative raportoi se ka në dispozicion dosjet tatimore të multimiliarderëve, si Xhef Bezos, Uoren Bafet, Majkëll Blumberg dhe Ilon Mask.
Të dhënat i përkasin 15 viteve të fundit dhe janë siguruar anonimisht nga Agjencia amerikane e Taksave.
Bezos, pronari i gjigantit të shitjeve nga interneti, "Amazon", zbulohet se nuk i pagoi shtetit të tij asnjë tatim mbi të ardhurat personale në vitet 2007 dhe 2011.
Ndërkohë asetet që ai menaxhon vlerësohen rreth 99 miliardë dollarë dhe në gjithë këto vite ka shlyer si tatim 0,98 për qind të vlerës ose një total prej 973 milionë dollarësh.
Evazori më i madh, megjithatë, rezulton financieri amerikan, Uoren Bafet, me një pasuri prej 24,3 miliardë dollarë por vetëm 0,10 për qind ose rreth 24 milionë dollarë i është tatuar.
Prodhuesi i makinave "Tesla" dhe i anijeve kozmike, Ilon Mask, pagoi një normë disafish më të lartë tatimi mbi të ardhurat sesa Bezos dhe Bafet, 3,27 për qind ose 455 milionë dollarë nga rreth 14 miliardë që llogaritet pasuria e tij.
Edhe biznesmeni Xhorxh Soros mësohet se iu shmang pagimit të taksave për 3 vite me radhë.
Presidenti Xho Bajden ka propozuar rritje të taksave për më të pasurit e Amerikës për të ulur pabarazinë dhe për të mbledhur më shumë para për programet e tij të investimit.
Ndërkohë FBI-ja ka nisur hetimet për të mësuar burimin që i referoi të dhënat e fundit tatimore organizatës "ProPublica", ndërsa Shtëpia e Bardhë e cilësoi të paligjshëm publikimin e paautorizuar të këtyre informacioneve.
Shenjat në thonjtë që tregojnë nëse e keni kaluar koronavirusin
9 Qershor, 10:13

