Shkarkohet Voltana Ademi, Pjerin Ndreu zgjidhet kryetar i Shoqatës së Bashkive

Voltana Ademi e vetmja demokrate mes 60 kryebashkiakëve socialiste nuk është më në krye të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Kolegët e zgjedhur në votimet e 30 qershorit, anëtarë të mbledhur në Lezhë në një asamble të jashtëzakonshme e shkarkuan nga posti.

Pjerin Ndreu u zgjodh kryetar i ri i shoqatës, ndërsa Alma Hoxha dhe Ilir Xhakolli nënkryetarë, pas votimit ku Voltana Ademi Mungoi. Pas mbledhjes Voltana Ademi reagoi duke thënë se veprime të tilla cënojnë parimet e shtetit ligjor

 “Në Lezhën e Besëlidhjes, sot eksponentë të Partisë Socialistë tentuan të dëmtojnë Demokracinë. Sot pati një tentativë për të kapur ilegalisht  Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, veprime te ndërmarra nga eksponentë, anëtarë të Partisë Socialiste, pa të drejta legjitime dhe jo anëtarë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cënon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.”

Si nismëtar i mbledhjes së asamblesë dhe kryetar i ri, Kryebashkiaku i Lezhës tha se shoqata nuk ekzistonte prej dy vitesh.

Ndërsa mohoi dyshimet e ngritura nga Voltana Ademi se pas kësaj lëvizje shoqata mund tërheqë padinë në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet vendore 2019.

“Ne nuk merremi me fantazi se çfarë thotë Gjykata Kushtetuese. Kjo është një shoqaqë që vepron dhe në shoqatë aderojnë bashkitë dhe jo kryetarët. Aderimi i bashkive është bërë me  vendim të Këshillit Bashkiak.”- tha Pjerin Ndreu.

Kryebashkiakja e Shkodrës këtë dyshim e ngriti në dy letra dërguar ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri, më e fundit, vetëm disa orë para se socialistët ta shkarkonin.

Ademi kërkonte aty vëmendjen e ambasadorëve në lidhje me monitorimin e zhvillimeve të fundit, pasi çdo veprim me prapavijë politike dhe arbitrare cenon hapur parimet e shtetit ligjor dhe demokracisë vendore.