Washington Times: Blinken nën trysni mbi lidhjet e Sorosit me vendimin e Departamentit të Shtetit
Sekretari i Shtetit zoti Antony Blinken u pyet nga kongresmeni republikan Lee Zeldin mbi provat konkrete mbi të cilat bazohet shpallja non grata e ish kryeministrit Berisha dhe familjes së tij. Këto pyetje ai i shtroi gjatë seancës së diskutimit të buxhetit të Departamentit të Shtetit për vitin 2022.
“Për shumë njerëz, kjo ishte e paparashikuar,” u shpreh kongresmeni Lee Zeldin.
Në dëgjesën e Komisionit të Kongresit mbi Punët e Jashtme, Z. Blinken e mbrojti veprimin e tij, por nuk dha prova për të mbeshtetur akuzat kundrejt Z. Berisha i cili është shfaqur në faqet e para të mediave ndërkombëtare duke pretenduar se lëvizja e fundit e Sekretarit te Shtetit është bazuar mbi "dezinformim" nga grupe tu financuara nga aktivisti miliarder liberal Xhorxh Soros.
Z. Zeldin u përpoq t’i shkonte deri në fund këtyre pretendimeve, "A keni komunikuar ju ose dikush në emrin tuaj me Z. Soros ose dikë në emrin e tij," e pyeti republikani zotin Blinken. "Thjesht po përpiqem të sqaroj çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është."
"Nuk kam komunikuar," u përgjigj Sekretari i Shtetit. "Nuk mund të flas në emër të të gjithë Departamentit të Shtetit. Por unë vetë, jo."
Në vijim z. Zeldin kërkoi informacion mediatik mbi çështjet korruptive në të cilat z. Berisha është i përfshirë.
"Unë u përpoqa të bëj kërkime mbi llojin e informacionit i cili përfshin z. Berisha në korrupsion por nuk arrita të gjej asgjë," - tha Z. Zeldin.
"Pra ku duhet të kërkojmë? Le të themi se dikush nga media dëshiron të gjejë informacion sepse ka patur replika në Departamentin e Shtetit, vendimi juaj për sanksionet ndaj tij dhe familjes së tij dhe mbrojtja nga ana e tij. Ku duhet të kërkojë një pjesëtar i medias për të gjetur informacion mbi korrupsionin të cilit i referoheni?
Z. Blinken dëshmoi se akuzat për korrupsion kanë ndjekur protokollet normale të Departamentit të Shtetit, përfshirë shqyrtimin nga këshilltarë ligjorë. "Nuk e kam informacionin të disponueshëm në këtë moment," - tha ai. "Por me kënaqësi do sigurohem që Departamenti ta ndajë këtë informacion me ju ose këdo që është i interesuar."
Z. Blinken e adresoi kongresmenin Zeldin tek Zyra për Cështjet Ligjore në Departamentin e Shtetit, ndërsa anëtarët e medias tek Zyra e Zëdhënësit.
Mirëpo një burimi anonim i The Washington Times në Zyrën për Ceshtjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit, hedh dyshime mbi vërtetësinë e deklaratave të Blinken.
"Mënyra si ai tha që ky informacion ka ardhur nuk është e qartë," tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim sepse nuk është i autorizuar të flasë mbi çështjen.
"Kjo akuze ndaj z. Berisha i surprizoi të gjithë në zyrën për Europën," tha zyrtari duke iu referuar Zyrës për Ceshtjet e Europës dhe Euroazisë në Departamentin e Shtetit. Nëse procesi i përshkruar nga z. Blinken do kishte ndodhur vërtet, njerëz të tjerë në pozicione të ndryshme në zinxhirin komandues diplomatik të SHBA-ve do ishin përfshirë në filtrimin e një akuze të tillë para se ajo të bëhej publike," - tha zyrtari. "Mirëpo kjo akuzë ka ardhur nga lart poshtë, jo nga poshtë lart.
Gjithashtu sipas The Washington Times, kërkesës së gazetës për informacion nuk i është përgjigjur as Departamenti i Shtetit dhe as Fondacioni për Shoqërinè e Hapur, i akuzuar drejtpërdrejt nga Berisha si i përfshirë kundër tij në "shpifje dhe manipulime".
