Vrau motrën me silenciator dhe e mbajti në banesë, arrest me burg për Fabian Vukën

Gjykata e Shkodrës caktoi sot (8 qershor 2021) masën e sigurisë "burg pa afat" për 55-vjeçarin Fabjan Vuka i akuzuar për vrasje e të motrës 58-vjeçare, Diana Vuka.

Para trupës gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Irida Kacerja, i dyshuari nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë në lidhje me krimin e rëndë, ndërsa prokurori i çështjes  Ermir Lelcaj i kërkoi gjykatës masën "arrest me burg".

Shpallja e vendimit ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërsa i arrestuari u dërgua në burgun e Reçit, atje ku do të presë nisjen e gjykimit ndaj tij.

Shkak për ngjarjen e rëndë që solli vrasjen e Diana Vukës me pistoletë silenciator nga i vëllai mendohet të jetë bërë një shumë parash që viktima kishte depozituar për blerjen e disa mobilieve por që autori i kërkonte për veten e tij pasi ai njihej si përdorues i alkoolit dhe luante bixhoz.

Konfliktet mes vëllait dhe motrës duket se kanë kulmuar mbrëmjen e të premtes së 4 qershorit, kur ai ka qëlluar katër herë të motrën, duke e lënë të vdekur në vend brenda banesës.

Trupi i pajetë u zbulua të dielën pas denoncimit në polici nga të afërm dhe miq të viktimës se kishin humbur kontaktet me të.

Në momentin e arrestimit policia e gjeti në gjendje të dehur autorin në lagjen "Ndoc Mazi" ndërsa sekuestroi armën e krimit.

Brenda banesës u gjetën edhe disa shishe alkooli 1.5 litërshe ndërsa pa vënies në pranga, fillimisht 55-vjeçari e ka pranuar krimin para oficerëve të policisë gjyqësore por të nesërmen pasi i ka dalë efekti i pijes ka zgjedhur të heshtë, duke ndjekur të njëjtën rrugë dhe në gjykatë.