Përjashtimi i gazetarëve nga aktivitetet e Kuvendit, Meta: Kufizon lirinë e medies dhe instalon një regjim censure

Vendimin e Byrosë së Kuvendit për të mos lejuar praninë fizike të gazetarëve në mbledhjet e komisioneve parlamentin, Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar antidemokratik dhe të papranueshëm nga një Parlament njëpartiak , i cili kërkon të ndalojë raportimin e pavarur të gazetarëve duke e zëvendësuar me transmetime zyrtare të kontrolluara.

Ky akt, sipas kreut të Shtetit që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të AMA-s, instalon një regjim censure.

Presidenti Meta i bën thirrje Kuvendit dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit.

Ndërsa gazetarët kanë bërë thirrje që ditën e mërkurë në orën 9:30 të bashkohen për të protestuar kundër këtij vendimi në oborrin e Parlamentit, para seancën së jashtëzakonshme për shkarkimin e Presidentit Meta.

Postimi i plotë:

"I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.

Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit."