Gjykata lë në burg babë e bijë/ Vjehrri tregon vilën trekatëshe që ndërtoi për dhëndrin, Dhurata kërkon mëshirë
Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj shtetasve Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj të akuzuar për bashkëpunim në vrasjen e 40-vjeçarit Kudret Saliaj pak ditë më parë në Tiranë.
Për shkak të plagosjes së avokatit të viktimës Adriatik Cama, ndaj dy të pandehurve Prokuroria referoi edhe akuzën e "Vrasjes së funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, si dhe ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, ”Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Konfiltet e nisura 8 muaj më parë
Prokurori shpjegoi në Gjykatë se Dhurata e Kudret Saliaj kishin 17 vite te martuar por prej 8 muajsh kishin nisur konfliktet.
Ditën e ngjarjes më 3 qershor 2021 Mexhit Picari, djali i Mexhitit (vëllai i Dhuratës) dhe Dhurata Saliaj ishin njoftuar për të marrë rrobat pasi dhurata prej 8 muajsh ishte larguar nga shtëpia e kudretit dhe jetonte tek shtëpia e prindërve.
“Mexhit Picari dhe Dhurata Saliaj ditën që do merrnin rrobat kane fyer jo vetëm të ndjerin por edhe avokatin e tij Adriatik Cama.
Ndërkohë ditën e ngjarjes, për disa minuta babai dhe vajza kane vëzhguar rreth Gjykatës për të zbuluar nëse kishte ardhur apo jo atë dite Kudret Saliaj”, thekson prokuroria.
Sipas saj Mexhit Picari dhe Dhurata kanë qëndruar në një tavolinë dhe aty autori ka marrë një çantë krahu në të cilën ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj Kudret Saliajt dhe Adriatik Camajt.
Dhëndrit i ndërtoi vilë trekatëshe
Në seancë foli edhe avokati i Mexhit Picarit i cili theksoi se vjehrri i ndërtoi dhëndrit një vile 3 katëshe, i fali 2 dynym tokë ne autostradë dhe i bleu fuoristradë të re pasi ai donte që vajza e dhëndri të jetonin mire.
“8 muaj me pare Kudreti i ka kthyer vajzën Mexhitit të dhunuar pasi e kishte rrahuar në pyll dhe i ka kërcënuar familjarisht”, theksoi avokati.
Ai theksoi se Kudret Saliaj i ka kërcenuar familjarët e ish gruas për t'i vrarë ndërkohë që pas hapjes së procesit për divorcin.
Psikologia e caktuar nga Gjykata për vlerësimin e fëmijëve kishte qëndruar në tavolinë me palën kundërshtare.
Avokati pretendoi se Mexhit Picari nuk e ka njohur fare Adriatik Camajn dhe nuk ka pasur qellim te keq ndaj tij.
Falje e mëshirë
Vetë Mexhit Picari deklaroi në seancë se kërkon falje për veprimin që ka kryer, veçanërisht ndaj nipërve dhe mbesave ndërsa përjashtoi vajzën nga planifikimi i krimit.
Gjatë seancës ka dhënë deklarime edhe Dhurata Saliaj e cila ka theksuar se ditën e ngjarjes shkoi në Gjykatë për seancën e divorcit.
“Nuk e dija që babi do bënte vrasje se nuk do ta lejoja kurrë, Kudreti ishte babai i fëmijëve te mi”, ka thënë ajo ndërsa kërkoi mëshirë nga gjykata pasi ka tre fëmijë për të rritur.
