Basha: Më 25 prill ra demokracia, nuk do ta shtrijmë dorën për bashkëpunim me autorin e masakrës zgjedhore
Kryetari i PD Lulzim Basha është takuar me anëtarët e kësaj force politike në njësinë 6 në Tiranë për të vijuar bashkëbisedimin edhe me anëtarësinë në Shijak.
Gjatë fjalës së tij në kryeqytet, Basha ka theksuar se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen nga opozita si legjitime.
"Më 25 prill përkohësisht ka rënë demokracia, ka rënë demokracia dhe këtë duhet ta themi me gojën plot sepse demokraci nuk është një koncept abstrakt, por është vullneti i shumicës. Kur vullnetit të shumicës i mbivendoset dhuna, tjetërsimi, mekanizmat e shtetit, të bandave, të pakicës atëherë nuk ka demokraci. E para, 25 Prilli është masakër zgjedhore, nuk mund dhe nuk do të njihet e nuk do të pranohet kurrsesi si një rezultat legjitim dhe si një shprehje e vullnetit të shqiptarëve," tha Basha.
Basha evidentoi se Partia Demokratike zhvilloi një fushatë model të bazuar në parime e vlera ndërsa nënshkroi kontrata bashkëpunimi me faktorët e shoqërisë, siç ishin banorët e Unazës. Sipas tij këto kontrata qëndrojnë ende deri në rënien e regjimit në pushtet.
Gjatë takimit me anëtarësinë e partisë Basha i ka kthyer edhe njëherë përgjigje ftesave të kryeministrit të artikuluara pas zgjedhjeve për një bashkëpunim ndërpartiak.
"Autori i kësaj masakre, nuk mund t’i shtrijmë dorën, por mund t’i ofrojmë të vetmin gjë që meriton dhe që i jep çdokush që ka një fije qytetërimi dhe përgjegjësie para shoqërisë dhe para kombit, betejë deri në fund," u shpreh Basha.
Sa i përket garës brenda Partisë Demokratike Basha tha se ajo duhet të respektojë sakrificat që demokratët kanë bërë në gjithë këto vite përballë regjimit të Edi Ramës.
"Nxitimi i ndokujt, i ndonjë mendje të turbulluar nuk mund të përbëjë arsye për t’i rënë me shqelm sakrificës prej secilit prej jush në këtë sallë dhe të mijëra demokratëve anembanë Shqipërisë. Nuk mund të përbëjë arsye për të shkatërruar atë që kemi ndërtuar së bashku. 25 prilli duhet të na bashkojë, 25 prilli është masakër zgjedhore dhe çdo qëndrim tjetër është i papranueshëm," u shpreh Basha.
