Me dokumente të falsifikuara me vete, arrestohet shoferi dhe menaxheri i një autobusi në Durrës
Policia në Portin e Durrësit ka vënë në pranga dy persona të cilëve u janë gjetur me vete leje drejtimi, leje qëndrimi dhe karta shëndeti të dyshuara të falsifikuara.
Sipas informacionit në pranga kanë rënë shtetasit Sh. L., 50 vjeç, banues në Kavajë dhe A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Policia gjatë kontrollit të mjetit autobus tip "Kinglong" me drejtues shtetasin A. B. dhe menaxher shtetasin Sh. L., ka gjetur 2 leje qëndrimi rumune, 2 leje drejtimi rumune dhe 2 karta shëndeti rumune të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit iu gjetën edhe dy pasaporta shqiptare që rezultojnë se personat që i posedojnë këto pasaporta janë në Itali.
Dy shtetasit e arrestuar dyshohet se i kishin marrë pasaportat për t’i vulosur në Shqipëri, me qëllim që poseduesit e tyre të mos penalizoheshin për shkeljen e afatit 90-ditor në zonën Schengen.
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.
