"Mos më prek me dorë, jam në shtëpinë time", nisin përplasjet në Ksamil për shembjen e objekteve pa leje
Tri objekte pa leje janë shembur në Velipojë në ditën e parë të aksionit “Bregdeti Ynë”, i nisur nga qeveria për lirimin e hapësirave publike, dhe shembjen e objekteve pa leje në vijën bregdetare.
Aksioni po vazhdon të martën, 8 qershor ndërsa janë edhe 12 objekte të tjera në listë për tu shembur.
Edhe në Ksamil, mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në ditën e parë të aksionit rrafshuan 3 objekte, ndërsa në total janë 30 ndërtesa që duhet të shemben sipas IKMT.

Dita e parë ka kaluar pa përplasje si në veri edhe në jug të vendit, por në të dytën forcat e angazhuara në aksion kanë pasur kundërshtime nga pronarët e objekteve në Ksamil.
"Mos më prek me dorë mua se jam në shtëpinë time," thotë banori.
Pronarët e një banese kundërshtuan shembjen e shtesave duke u përplasur me forcat e IKMT dhe policisë mëngjesin e së martës.
Ata shprehen se nuk janë lajmëruar më herët për këtë akt, dhe se objektin e kanë me leje.
"S'jemi njoftuar. Erdhën këta 2-3 herë. I ka çuni dokumentet," thotë një e moshuar.
Ndërkohë, në bregdet nga Dhërmi deri në Jalë, janë proceduar penalisht 3 shtetas për zënie të hapësirës publike pa leje.
