Shoqja denoncoi humbjen, si e zbuloi policia vrasjen e Diana Vukës në Shkodër

Ekzekutimi i Diana Vukës në Shkodër nga i vëllai Fabiani mund të mos ishte zbuluar as me 6 qershor, 2 ditë pas vrasjes, nëse shoqja e saj nuk do të denonconte në polici zhdukjen e kësaj.

Ora News mëson se me 6 qershor, rrreth orës 22:30, Salla Operative e Policisë Shkodër  është njoftuar nga shtetesja Lindita Thanasi se kishte humbur kontaktet me shoqen e saj Diana Vuka që ditën e premte, 4 qershor, dhe se kishte frikë se mos i ka ndodhur gjë.

Pas marrjes së denoncimit, Policia ka shkuar menjëherë në banesën e Diana Vukës në lagjen "Ndoc Mazi"  dhe rreth orës 23:00 është njoftuar Salla Operative se ajo është gjetur e vrarë.

Trupi i pajetë i viktimës është gjetur në dhomën e gjumit, e shtrirë përmbys në krevat dhe e mbuluar me jorgan.

Policia ka konstartuar njolla gjaku në dysheme dhe një pellg gjaku poshtë krevatit.

Në dysheme policia ka gjetur edhe gëzhojat e pistoletës me të cilat është qëlluar viktima, e cila kishte një javë që kishte ardhur nga Gjermania.

Të nesërmen, 7 qershor, ora 01:00, policia ka bërë arrestimin e Fabian Vukës, autori i dyshuar i vrasjes i cili nuk ka pranuar të flasë për policinë pa avokat, duke shtuar se do të shprehet në gjykatë.