Ndreca: Presidenti duhet të shkarkohet se ka shkelur Kushtetutën, është bërë palë politike
Në një intervistë për RTV Ora, juristi i PS-së, Plarent Ndreca u shpreh se heqja e gazetarëve nga aktivitetet e kuvendit është një veprim i bazuar në ligj.
Lidhur me shkarkimin e presidentit, Ndreca tha se Presidenti aktual ka kryer të gjitha shkeljet e mundshme të kushtetutës, prandaj po shkohet drejt shkarkimit të tij.
Ndreca: Mendoj se është një vendimmarrje e bazuar në një ligj dhe duhet të shohim arsyetimi ne Kuvendit për këtë veprim. Nuk e shoh të arsyeshme që çdo mbledhje pune të institucionet të jetë media aty, sepse nuk është se media i transmeton direkt. Institucionet në fundit të ditë shprehen me vendime dhe çdo lloj debati ka rëndësi.
Presidenti aktual ka kryer të gjitha shkeljet e mundshme të kushtetutës për tu konsideruar gjithë veprimtarinë e presidentin, qysh nga zgjedhjet lokale, me një intensitet rritës, si antikushtetuese dhe në deformim të plotë të institucionit që përfaqëson. Besoj se është rasti më i mirë për të përfaqësuar një precedent, në mënyrën se si Kuvendi dhe Kushtetuesja i qaset presidentit. Sepse kemi pasur bërjen palë me një anë dhe kemi pasur një prishje imazhi te ndërkombëtarët apo edhe thirrje për veprime të dhunshme.
Ndreca shtoi se presidenti nuk mund të flasë me gjuhë që prish unitetin popullor, duke folur për gjithçka dhe duke dhënë opinione politike.
Ndreca: Presidenti nuk mund të flasë me atë gjuhë dhe të prishë unitetin popullor, duke folur për gjithçka dhe duke dhënë opinione politike. Nëse do të japë deklarata të tilla le të bëhet një individ i thjeshtë. Unë besoj se ai ka një qëllim për të mos e kuptuar këtë gjë. Ai mund të mbrojë vendin e tij si president me fakte, por s'mund të futet në veprime politike me deklarata të tilla. Unë besoj se Gjykata Kushtetuese duhet ta shkarkojë presidentin, pavarësisht nëse i ka votat apo jo, gjykata i referohet provave dhe fakteve.

