"S'besoj që kryeministri të jetë pjesë e kësaj grabitje", Sazan Guri solidarizohet me Lumasin, avokati akuza të forta policisë
Policia nuk ka lëvizur nga fshati Lumas në Kuçovë ku po tentohet të ndërtohet Ujësjellësi por ashtu as banorët.
Me këta të fundit pasditen e sotme u solidarizua edhe ambjentalisti Sazan Guri. Ai tha se është i gatshëm të mbrojë komunitetin edhe te Kryeministrit që në bindjen e tij nuk e njeh si duhet projektin.
Sa i takon firmës që pret ta ndërtojë, Guri ishte i gatshëm të vinte një bast me të.
Guri: Kryeministri e ka vënë firmën vet? Varet si të tjerët ja gatisin kryeministrit. Nuk mendoj që kryeministri të jetë pjesë e kësaj grabitje. Është Zonë e Mbrojtur. Lumi i bën detyrat e veta por është politikani apo njeriu u babëzitur që ja prish drejtimin lumit. Rrjedhja e lumit lart-poshtë është drejtimi i Zotit, kur ai e devijon se çon në drejtim të djallit. U bëj thirrje policëve, bëni kujdes, do të mbani përgjegjësi individuale. Përgjegjësia kolektive është se ju keni të drejtë si kolektiv, por si individë që vë dorë mbi zonja, mbi nëna, mbi motra, mbi gra dhe kalon kompetencën. Turp. Ata përfaqësohen me avokatë. Shqiptari nuk është marrë historikisht me gruan, prandaj burri ecën para dhe gruaja pas se e merr përgjegjësinë burri. Zoti Rama mbase nuk është në dijeni të plotë, jam i gatshëm të shkoj të mbroj komunitetin para kryeministrit, para kompanisë po e po. Nuk mendoj kurrë që ata kanë të drejtë, sikur një të drejtë, ne të kemi 99 dhe ai të ketë 1 le ta bëjnë. Ky është basti. Nuk mund t'ua grabisësh ujin këtyre banorëve natën si cub, cubat dhe hajdutët vijnë natën.
Ndërsa avokati, Arben Llangozi, lëshoi akuza të forta ndaj drejtorit të policisë së Beratit dhe shefit të komisariatit të Kuçovës për dhunim të banorëve dhe lidhje me krimin e organizuar.
Llangozi: I jemi drejtuar Gjykatës Administrative Vlorë, po bën dy javë e depozituar padia. Gjykata nuk është vënë në lëvizje se ka dy gjyqtarë dhe ka 5 qytete që gjykon dhe ka një radhë që operon. Rasti konkret nuk ka datë konkrete. Banorët janë dhunuar sot nga një bandë kriminelësh që është policia e shtetit me në krye një kryekriminel që është drejtori i policisë së Beratit që është denoncuar në media të ndryshme dhe unë po e denoncoj publikisht që është i lidhur me krimin e organizuar dhe fisin Çapja ka krushqi, ka mbuluar me qindra vrasje të bëra në këtë qytet ky drejtor policie që vjen dhe vë dorë mbi qytetarët që nuk kanë bërë asgjë. Dua të denoncoj shefin e komisaritit të Kuçovës që është trafikant, ka trafikuar 200 kg kokainë nga Turqia drejt Shqipërisë. E drejta e banorëve do të triumfojë. Kemi bërë kallëzim për tre drejtuesit e policisë, Ardi Veliun, drejtorin e policisë së Beratit dhe shefin e Kuçovës. Një drejtor policie ka prekur nënën time dhe nëse ligji nuk do të funksionojë do ta kalojmë si Çapja pastaj.
Banorët e fshatit Lumas kanë protestuar disa herë deri më tani kundër ndërtimit të ujësjellësit, ndërsa kanë ngritur padi në SPAK për kryetarin e Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.


