Media turke: Spitali Rajonal i Fierit do të shërbejë për rritjen e vëllazërisë së vjetër Shqipëri-Turqi

Agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency i ka kushtuar një shkrim ndërtimit të Spitali Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me financimin e Republikës së Turqisë.

Kjo medie shkruan se ky spital tashmë ka nisur ofrimin e shërbimeve për qytetarët shqiptarë, ndërkohë thekson se risi e këtij spitali është prezenca e stafit mjekësor nga Turqia.

Ndërkohë, duke folur për Anadolu Agency, İlkay Güler, zv/drejtor i Spitalit në Fier dhe njëkohësisht kirurg i përgjithshëm, kujtoi vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Turqi në muajin janar, ku presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin e këtij spitali, si dhe u shpreh se vendimi për këtë spital u mor me qëllimin për t’i shërbyer rritjes së miqësisë dhe vëllazërisë Shqipëri-Turqi, e cila sipas tij daton prej shumë vitesh.

"Përvojën, botëkuptimin e menaxhimit dhe cilësinë e shërbimit tonë të arritur në sistemin shëndetësor gjatë 18 viteve të fundit, veçanërisht duam ta ndajmë duke punuar me gjithë personelin shqiptar, në veçanti me mjekët shqiptarë", tha Güler.

Sipas tij, të pranishëm në këtë spital do të jenë 56 punonjës nga personeli turk.

Duke theksuar se më 27 maj të vitit 2021 spitali ka pranuar edhe pacientin e parë, Güler tha:

"Më 30 maj e hapëm sallën kirurgjikale me 2 operacione. Që tani kemi një interesim shumë të lartë të qytetarëve shqiptarë dhe ky fakt na ka gëzuar. Ne mendojmë dhe synojmë të bëjmë punë të mira së bashku me gjithë stafin tonë, personelin shqiptar dhe turk, dhe të kontribuojmë në zhvillimin e mëtejshëm të miqësisë shqiptaro-turke."

Spitali Rajonal Memorial në Fierit u inaugurua më 21 prill të këtij viti me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga Turqi dhe Shqipëria, përfshirë edhe presidentin Erdoğan nëpërmjet videokonferencës.

Spitali, i cili ka një kapacitet prej 150 shtretërish, me gjashtë salla operacionesh dhe gjashtë poliklinika, do të administrohet dhe menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk në një periudhë tranzitore dhe në të do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.