Vrasja e Klodian Rashës, kërkohen 20 vjet burg për ish-efektivin Hajdaraj, në seancë edhe i ati i viktimës

Prokuroria e Tiranës paraqiti në gjykatë pretencën për vrasjen e Klodian Rashës, duke kërkuar dënimin me 20 vjet burg për ish-policin, Nevaldo Hajdaraj. Vendimi pritet të shpallet më 17 qershor, ndërkohë që seanca është ndjekur nga familjarët e 25-vjeçarit të ekzekutuar nga oficeri i policisë në dhjetorin e vitit të kaluar.

Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 20 vjet burg për ish-policin, Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës me 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Pretenca është paraqitur në seancën e sotme në gjykatën penale të Tiranës, ku i pranishëm ishte edhe shtetasi Qazim Rasha, babai i 25-vjeçarit të vrarë 7 muaj më parë nga efektivi i policisë.

Pas konkluzioneve të prokurorisë tashmë gjykata do të dëgjojë edhe qëndrimin e avokatëve, ndërsa vendimi përfundimtar në gjykatën e faktit, pritet të shpallet me datën 17 qershor.

Efektivi i repartit "Shqiponja" i arrestuar në lidhje me krimin ka pranuar gjykimin e shkurtuar çka i mundëson uljen e një pjese të dënimit në fund të procesit gjyqësor ndaj tij.

Klodian Rasha u ekzekutua pak para mesnatës së 8 dhjetorit 2020 pranë banesës së tij në zonën e Laprakës pasi efektivi i policisë e ndoqi për ta ndëshkuar në lidhje me shkeljen e orës policore të vendosur për shkak të pandemisë dhe mosmbajtjen e maskës anti-Covid.

Vrasja shkaktoi protesta disa ditore dhe reagime të forta nga shoqëria civile në Tiranë, të cilat u pasuan me largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm të kohës Sandër Lleshaj.