Një filial i Universitetit Teknik të Stambollit (ITÜ) së shpejti në Shqipëri

Së shpejti një filial i Universitetit Teknik të Stambollit (ITÜ) do të ngrihet në Shqipëri. Gjatë takimit që Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi ka zhvilluar me Presidentin e Këshillit të Arsimit të Lartë të Republikës së Turqisë, Prof. Dr. M. A. Yekta Saraç është dakordësuar mbi planin e veprimit të hapjes së këtij filiali.

Ministrja Kushi është pjesë e delegacionit të kryeministrit Rama në kuadër të vizitës dy ditore në Ankara të Turqisë.

Ministrja Kushi nënvizon përmes publikimit në rrjet social se kanë diskutuar gjerësisht gjithashtu edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë nëpërmjet projekteve konkrete në fusha me interes të përbashkët për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.