Vrasja në Lushnje për rakinë, klienti vrau pronarin e lokalit dhe plagosi djalin e tij

Edhe Lushnja u përfshi në hartën e ngjarjeve të rënda kriminale që kanë goditur vendin në 6 muajt e parë të vitit. Një 62-vjeçar u ekzekutua me kallashnikov dhe djali i tij 31-vjeçar u plagos, pasi u sulmuan në lokalin e tyre në Krutje të Lushnjes nga një klient me të cilin me herët debatuan për një gotë raki.

Një debat për një gotë raki përfundoi me vrasje e plagosje në Krutje të Lushnjes.

Irakli Qorri 62 vjeç, u vra në lokalin e tij dhe i biri Kejdi, 31 vjec mbeti i plagosur nga breshëria e plumbave të kallashnikovit që derdhi ndaj tyre Sofokli Shano.

Ngjarja që përfshiu edhe Lushnjen në hartën e krimeve të 6 mujorit të parë në vend u shënua pak minuta para mesnatës, e mërkurë 2 qershor.

Burimet thanë se gjithçka nisi kur Sofokli Shano, 57-vjeçar u përfshi në një debat me pronarin 62-vjeçar të lokalit për një gotë raki, debat i cili agravoi fillimisht në konflikt fizik.

Klienti goditi me karrike në kokë pronarin e lokalit dhe djemtë e tij më pas reaguan duke dhunuar 57-vjeçarin.

Pas agravimit të konfliktit, Sofokli Shano ka shkuar në banesë ku ka marrë armën kallashnikov që mbante pa leje dhe është rikthyer në lokal duke qëlluar ndaj babë e bir.

Irakli Qorri humbi jetën në vend, ndërsa Kejdi Qorri mbeti i plagosur në gjendje të rëndë dhe është sjellë për trajtim të specializuar mjekësor në kryeqytet.

Autori Sofokli Shano u vetëdorëzua në policinë lokale të Lushnjes pas krimit.

57-vjeçarit iu sekuestrua edhe arma tip kallashnikov me të cilin kreu krimin.

Në orët në vijim ai pritet të merret në pyetje nga grupi hetimor për motivet e ngjarjes për të cilën do të përballet me drejtësinë me të paktën tre akuza.