"Familjarët e një pacienti po na shantazhojnë e kërcënojnë", mjekët e Fierit sërish në protestë
Mjekët e spitalit të Fierit ndihen të kërcënuar dhe të shantazhuar nga familjarët e një pacienti, rast ky që ka bërë që ata për të dytën herë të protestojnë, ndërsa thonë se puna është bërë e vështirë për ta.
Për të dytën herë brenda pak ditësh mjekët e spitalit të Fierit kanë dalë në protestë. Ata thonë janë kërcënuar dhe shantazhuar nga djali i një pacienti, i cili edhe më herët ka pretenduar në media se është dhunuar nga bluzat e bardha.
Mjekët thonë se brenda pak ditëve kanë depozituar disa kallëzime në policinë e Fierit.
Ata shtojnë se personi në fjalë vuan nga problemet e shëndetit mendor ndaj kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme.
"Dje ka ardhur duke më dhënë urdhër që duhet të vish në shtëpi dhe të vizitosh babain tim dhe bëj provë të mos vish se do të marr masa të tjera ndaj teje. Ky për mua është një kërcënim."
"Shtetasi Ardit Klima ka ardhur në poliklinikë dhe kërkon disa shërbime që nuk i takojnë."
Nëse nuk merren masa, protesta mund të përshkallëzohet, pasi ushtrimi i detyrës në këto kushte, sipas mjekëve, është i pamundur.
"Kjo protestë nuk do të jetë e vetme nëse këtij probleme nuk i jepet zgjidhje".
"Kërkoj të merren masa ndaj këtij personi sepse e shikojmë që Drejtoria nuk po bën asgjë, Drejtoria është kundër nesh. Kam bërë dy herë denoncim, edhe mbrëmë, edhe sot."
E gjithë historia ka nisur më shumë se një muaj më parë, kur djali i një pacienti ka pretenduar se mjekët Ndriçim Kallashi dhe Enver Halili kanë ushtruar dhunë ndaj tij, ndërsa kjo gjë është mohuar nga personeli shëndetësor.

