Perballja për Teatrin Kombetar në Gjykatën Kushtetuese, Presidenca kërkon shtyrjen e seancës: Aktorë e ekspertë të thirren si dëshmitarë
Gjykata Kushtetuese po shqyrton sot paradite paditë e presidentit Ilir Meta, për shfuqizimin e kalimit të pronësisë së Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranë dhe shfuqizimin e procedurës së kontratës për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Në seancën e sotme Presidenti Ilir Meta po përfaqësohet nga këshilltari i presidentit Bledar Dervishaj i cili kërkoi që të thirren dëshmitarë artistë dhe ekspertë si dhe gjykata të pranojë disa prova shtesë.
Në seancë zoti Dervishaj është shprehur se Këshilli i Ministrave ka vënë në dispozicion vetëm dje dokumentet e kërkura prej dy vitesh nga institucioni i tyre, madje shumë dokumente ende nuk janë marrë prandaj kërkoi shtyrjen e seancës.
14 dëshmitarë
Presidenti kërkon të thirren si dëshmitarë në këtë proces.
1. Erviko Aimi (dhe dy të tjerë), senatorë të Republikës Italiane. "Kemi folë paraprakisht, janë dakord të vijnë këtu, pasi kanë interes për mbrojtjen e trashëgimisë së ndërtimeve të bëra nga italianët" u shpreh Dervishaj.
2. Përfaqësues të Europa Nostra
3. Përfaqësues të KLSH
4. Albana Vokshi që e ka mbrojtur çështjen në Komisionin e Medias
5. Bujar Leskaj, ish kreu i KLSH
6. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë e përfaqësuar nga Voltana Ademi
7. Erjon Veliaj
8. Arbjan Mazniku
9. Toni Gogu
10. Behar Zeneli
11. Artan Lame
12. Artan Shkreli
13. Mirela Kumbaro
14. Elva Margariti
Prova shtesë
Dervishaj i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë si provë shtesë mbi 20 dokumente duke i urdhëruar institucionet në varësi të qeverisë që ti sjellin dokumentet brenda muajit qershor.
"Si mund të ketë debat gjyqësor të plotë pa u marrë këto dokumente" eshte shprehur Dervishaj.
1. Kopje të shitblerjes së pronës truall nga Francesko Jakomoni dhe trashëgimtareve të familjes Libohova ku u ndërtua teatri kombëtar
2. Kopje të lejes së ndërtimit nga Mbreti Zog për ndërtimin e teatrit
3. Kopje e projektit të arkitektit për ndërtimin e teatrit
4. Akte që vërtetojnë ndryshimin e qëllimit të përdorimit të Godinës
5. Kopjen e praktikës së shpalljes së Ansamblit të Teatrit monument kulture
6. Hartat e përdorura për shpalljen e kësaj zone të trashëgimisë historike
7. Kopje të diskutimeve shkencore të Monumenteve të Kulturës 2004-2007 që ka vlerësuar monumentet historike në qendrën e Tiranës
8. Listën e plotë të ndërtesave të përfshira në qendrën historike
9. Kopje të praktikës institucionale ku pasqyrohet identifikimi i nevojës për miratimin e ligjit special për Teatrin
10. Konsultimet para dhe pas hartimit të këtij ligji të posaçëm
11. Mendimet e të gjitha institucioneve të përfshira gjatë konsultimit
12. Diskutimet në këshillin e ministrave për këtë çështje
13. Kopje të akteve se si Bashkia Tiranë ka ndërprerë negociatat për godinën
14. Procesverbalet e komisionit të posaçëm nëse ai ka zhvilluar negociata me kompani të interesuara për të ndërtuar teatrin e ri dhe kostot financiare të secilës ofertë
15. Kostot e gjetjes dhe përballimit të konsulencës
16. Si u arrit në përfundimin që Shteti arriti në përfundimin për ta ndërtuar vetë, me para publike, dhe jo me koncesion
17. Si u kalua trualli nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë Tiranë? Duam praktikën e kësaj procedure.
18. Kopje të akteve të nxjerra para gjatë dhe pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar
19. Veprimet e Kryetarit të Bashkisë Tiranë pas kërkesës së KLSH-së për të pezulluar veprimet me teatrin deri në shprehjen e gjykatës.
20. KLSH i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës të detyrojë bashkinë ta ndërtojë teatrin, aty ku ishte, me të njëjtën arkitekturë.
Kush është padia e presidentit?
Përmes padisë së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Presidenti kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe me Marrëveshjet Ndërkombëtare, të ligjit nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””.
Shfuqizimin e vendimit nr.377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Pezullimin e zbatimit të ligjit nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe të vendimit nr.377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë” dhe qëllimit të përcaktuar në këtë akt, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, të hyjë në fuqi.