"Ishalla del mirë!" Urimi i gjyshes për mbesën maturante te "Petro Nini Luarasi"

Pak pa shënuar ora 09:00 e mëngjesit, në gjimnazin "Petro Nini" në kryeqytet nisi hyrja e maturantëve në klasa ku do të japin provimin e parë të Maturës, Gjuhën e Huaj.

Drejtoresha e shkollës kërkoi prej tyre respektimin e masave anti-Covid.

Maturantët janë ndarë në grupe të vogla që të mos ketë grumbullim.  Këshilla kryesore për ta ishte që të lënë celularët jashtë.

"Petro Nini" ka ka rreth 450 maturantë.

Si një ogur i mirë, një gjyshe kishte vendosur të shoqërojë mbesën e saj dhe ta presë jashtë deri në fund të provimit.

"Kam ardhur për mbesën, ka provimin sot. Ishalla del mirë!"

Testi do të nisë në orën 10:00, por ndryshe nga një vit më parë, kur për shkak të pandemisë kohëzgjatja e provimit ishte 2 orë, këtë vit do të jetë 2:30 minuta, kërkesë kjo e protestës së maturantëve vitin e kaluar.

Rregullat e pandemisë do të jenë të njëjta, ku në klasa do të ruhet distanca dhe do të qëndrojnë aq persona sa të mund të zbatohet ky rregull, duhet të jenë të pajisur me maska dhe do të kryhet dezinfektimi i tyre në momentin që hyjnë në ambientet e shkollës.

Provimet e radhës janë ato të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në 7, në 11 ai i Matematikës dhe në 15 Lënda me Zgjedhje.