Ndërkombëtarët apelojnë Turqinë: Lironi studentët që protestuan për komunitetin LGBT

Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut po shtojnë apelin ndaj Turqisë për lirimin e disa studentëve të arrestuar pasi valëvitën flamurin e komunitetit LGBT gjatë një proteste.

Në Stamboll u zhvillua të enjten seanca për gjykimin e atyre studentëve që ndodhen ende në paraburgim ose në arrest shtëpie.

Më 4 janar ata u ngritën të denoncojnë emërimin politik të rektorit të universitetit nga presidenti Rexhep Taip Erdgoan.

Revolta nisi fillimisht brenda kampusit universitar por u përhap edhe në rrugët e qytetit.

Forcat turke të rendit ndërhynë me gaz lotsjellës e me pompa ujëhedhëse për t'i shpërndarë ndërsa sipas organizatës ndërkombëtare për Amnisti, ishin pjesëtarët e komunitetit LGBT që u trajtuan më dhunshëm, iu nënshtruan kontrollit policor të zhveshur dhe të paktën dy prej tyre u kërcënuan se do të përdhunoheshin.

Një grup i vogël protestuesish dënoi ditën para gjykatës së Stambollit edhe deklaratat e presidentit Erdoan i cili i ka quajtur terroristë studentët e përfshirë në protesta, dhe nuk është kursyer as ndaj personave LGBT.

"...Nuk habitemi shumë për çështjen e flamurit. Edhe për tubimin e saj na dhanë leje me kushtin që të mos e ngrinim flamurin tonë, që ne sigurisht nuk iu bindëm."

"Në këtë shtet liria e shprehjes është e kufizuar gjerësisht. Intoleranca ndaj kauzës LGBT është ndër më të egrat, ndoshta prej fuqisë dhe simpatisë që gjeneron lëvizja."

Prokuroria turke sugjeroi në prill dënimin me burg të 97 studentëve që u ngritën kundër emërimit të rektorit të Universitetit të Bosforit.

Presidenti Erdoan nuk ka pranuar të tërhiqet nga vendimi i tij, ndërsa aktualisht nëntë veta ndodhen në paraburgim dhe 27 të tjerë nën arrest shtëpiak për pjesëmarrjen në protesta.