Ndaj Shkëlzen Velaj u qëlluan 30 plumba, 15 prej tyre e morën në bark e zemër
42-vjeçari, Shkëlzen Velaj, u ekzekutua me breshëri kallshnikovi. Nga 30 gëzhoja të gjetura në vendngjarje, mësohet se 15 prej tyre e kanë kapur në pjesën e trupit në bark dhe zemër.
Ai ndërroi jetë rrugës për në spitalin rajonal të Vlorës.Vrasja u regjistrua mbrëmjen e të mërkurës 2 qershor, pak para mesnate.
Ora News ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes. 42-vjeçari ka qenë duke u kthyer në banesë.Përgjatë gjithë rrugës së kthimit ka pikasur një automjet që po e ndiqte.
Është futur tek kthesa e shtëpisë së tij, një kthesë ku nuk kthehen shumë makina në atë orë.
Kur ka parë një automjet të llojit "BMW" që po e ndiqte edhe aty, ka dalë me vrap duke lënë automjetin "Renault Clio" të ndezur.
Është larguar me shpejtësi në drejtim të shtëpisë. Autori apo autorët e kanë ndjekur me vrap nëpër shkallë dhe pak metra pranë banesës së tij e kanë qëlluar afro 30 herë duke e ekzekutuar.
Autorët janë larguar me shpejtësi me atuomjetin e llojit "BMW" ku i kanë vënë edhe flakën.
Ngjarja po hetohet në dy drejtime, larje hesapesh midis bandave pasi Shkëlzen Velaj është vëllai i Ardi Velajt të vrarë në masakrën e Çoles por edhe për narkotikë pasi 42-vjeçari dyshohet se ishte aktiv edhe në tregun e narkotikëve në Vlorë çka e tregon fakti se në 2019 së bashku me 6 të tjerë u arrestua nga policia e Vlorës në operacionin e quajtur Vjeshta.
Mendohet se më parë e ka ndryshuar edhe emrin nga Shkëlzen në Altin për shkak të mosmarrëveshjeve me ligjin.
Në harkun kohor të 25 ditëve, fundi i majit dhe fillimi i qershorit, në Vlorë janë regjistruar 5 atentate kundrejt 5 shtetasve të ndryshëm, nga të cilën kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur dy të tjerë.