Shkërmoqet fushata, bashkia hodhi asfalt elektoral, gërryhet brenda muajit
Kjo është rruga "Grori" në Farkë e shtruar vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Pas zgjedhjeve pushtetarët nuk janë kujtuar më për të.
Prej shumë vitesh kjo rrugë në zonën e Farkës, ka qenë në gjendje të degraduar por edhe pse u shtrua në periudhën e zgjedhjeve, situata vijon të mbetet e njëjtë.
Periudha në të cilën u bë ndërhyrja, por edhe cilësia e dobët e punimeve që faktohet nga amortizimi brenda një kohë relativisht të shkurtër, i ka lënë banorët në dyshime mbi qëllimin real të asfaltimit.
Ata shprehen se infrastruktura vijon të mbetet një problem.
"Te vila që zbret poshtë i kanë vënë një bordurë, për arsye se janë të mëdhenjtë aty, janë vilat. Këtu ku dalin fëmijët tanë që shkojnë në shkollë në këmbë as vija të bardha nuk kanë vënë. Peshku i madh e ha peshkun e vogël," thotë banori.
Banorët e shprehen gjithashtu se thirrjet e tyre kanë shkuar në vesh të shurdhët dhe se nuk dine ku të ankohen.
"Erdhën ca firma hapën kanalet për elektrikun edhe e prishën. Ca hynë këtej, ca andej edhe," thotë banori.
Kjo nuk është e vetmja rrugë që baashkia Tiranë hodhi asfalt para zgjedhjeve të 25 prillit.
