Prishjet e ndërtimeve në bregdet, Shano: Qeveria gjithmonë është sjellë e pabesë, shqiptarët duhet ta dinë çfarë të presin

Qeveria ka nisur operacionin e prishjes së objekteve pa lejë në bregdet me çeljen e sezonit turistik.

Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma  shprehet se kjo nuk është diçka e re për qeverinë, pasi e dhe vitin e kaluar ka vepruar njësoj. Shano shprehet se ky vend do duhej të ndihmonte sezonin turistik, sidomos pas një viti ku qeveria me vendimet e veta e dëmtoi sezonin turistik.

Shano: "Nuk e di se si e justifikon qeveria këtë gjë, natyrisht ajo mezi pret që njerëzi të dalin kundër për t'i akuzuar ata që dalin kundër kësaj gjëje mbështesin paligjshmërinë. Ky vend do duhej të ndihmonte sezonin turistik, sidomos pas një viti ku qeveria me vendimet e veta e dëmtoi sezonin turistik, por kjo sjellje nuk është e re për qeverinë është e përsëritur. E kanë filluar këtë operacion sikur bregdeti ynë është i qeverisë dhe jo i atyre njerëzve që kanë ndërtuar.  Kjo nuk do të thotë që unë favorizoj paligjshmërinë, pro nuk mund të mos observoj që me rregullat urbanistike të miratuara nga qeveria e ka bërë të pamundur për njerëz, operatorë dhe subjekte të vogla të ndërtojnë në atë tokë që edhe mund ta kenë trashëguar."

Disa nga ndërtimet e prishura janë ndërtuar gjatë 8 viteve të fundit. I pyetur se pse qeveria e Ramës i ka lejuar këto ndërtime të paligjshme, Shano u shpreh se i ka volitur t'i lejojë në këmbim  të favoreve elektorale.

Shano: " Sepse i ka volitur ta lejojë paligjshmërinë, pra t'i krijojë individit, apo familjes apo biznesit privat që mund ta bëjë këtë në këmbim të favoreve elektorale e me rradhë. Tani që këto gjëra mbaruan, qeveria gjithmonë është sjellë e pabesë. Shqiptarët duhet ta dinë gjithmonë se çfarë të presin nga kjo qeveri gjithmonë. "

Shano shprehet se e gjithë strategjia e ndjekur nga qeveria është në favor të një pakice njerëzish.

Shano: "E gjithë strategjia që ndjek qeveria në raport me individin, me subjektin privat është në favor të një pakice njerëzish dhe të një pakice lejesh shfrytëzimi që bien nën kuadrin e atij ligjit famëkeq të investitorëve strategjikë.  Beteja zhvillohet për centimetrat katrorë në Tiranë dhe për metrat katrorë në bregdetin e jugut. "

Përsa i përket injektimit të parave të pista dhe çeljes së negociatave me BE-në, Shano tha se vendi ndodhet në një moment delikat dhe justifikimet dhe arsyetimet duhet të bien sepse mbi gjysma e vendeve anëtare në BE janë pranuar pa përmbushur  kushtet dhe parametrat.

Shano: "Asnjë njeri me mendje të rregullt nuk do ishte në favor të pastrimit të parave, aq më tepër kur këto kryhen me bekimin e institucioneve shtetërore. Ky është një moment strategjik për BE-në dhe në qoftë se ata e kuptojnë këtë gjë kështu të gjitha këto arsyetime dhe justifikime duhet të bien, sepse mbi gjysma e vendeve anëtare në BE janë pranuar pa përmbushur  kushtet dhe parametrat. Ne gjendemi përballë një momenti shumë delikat në rajon. "

Deklaratës së zonjës Spiropali për bashkëpunim me PD-në duke i thënë se nëse doni ju japim dhe Presidentin, Shano tha se kjo tregon kondicionin psikologjik të tyre që i shohin postet e institucionet si plaçkë që i shpërndajnë.

Shano: "Kjo tregon kondicionin psikologjik të tyre që i shohin postet e institucionet si plaçkë që i shpërndajnë. Unë mendoj që ka gjysmë sinqeriteti në këtë. Kjo ftesë do ta sfumonte krejtësisht PD-në në se ajo do futej në qeveri me PS-në. PD-ja ka një detyrë kombëtare të ofrojë maksimumin e bashkëpunimit pa kushte. Artikulimet e zotit Balla dhe zonjë Spiropali kanë të tjera tendenca sepse duan t'ia bëjnë të lehtë vetes së tyre konfrontin tjetër për zgjedhjet lokale apo ato të përgjithshme."